Një 46-vjeçare moldave është në arrest shtëpie me një byzylyk elektronik në pritje të gjykimit pasi akuzohet për tentativën për të helmuar burrin shqiptar me helm miu.
Gruaja moldave, banuese prej vitesh në Rimini, Itali ka tentuar ta vrasë pak e nga pak, siç veprohet me minjtë, burrin shqiptar. Ajo ka përzier helmin me ushqimin, duke bërë që shqiptari të përfundonte shpesh në spital me dhimbje të forta.
Dyshimet e mjekëve lindën kur nga korriku 2022, shtetasi shqiptar 54 vjeç, ishte shtruar disa herë në spital, duke shfaqur në të gjitha rastet simptoma të përputhshme me helmimin nga ilaçi i miut. Konfirmimi erdhi më pas me ekzaminimet klinike dhe testet që kishin konstatuar pozitivitetin e gjakut të burrit ndaj përbërësve aktivë të Bromadiolone dhe Coumatetralyl, elemente kimike që gjenden në helmin e minjve.
Më pas mjekët e kuptuan se 54-vjeçari kishte marrë doza të substancave potencialisht vdekjeprurëse sa herë që arrinte në spital.
Nga ana tjetër policia gjeti dhe sekuestroi, në një sirtar të garderobës së dhomës së gjumit, një shiringë me një substancë të panjohur të kuqërremtë që në fund rezultoi helm miu.
Dy bashkëshortët ishin ndarë prej disa kohësh, por pavarësisht ato që kishin ndodhur vendosën të pajtoheshin sërish.