Deputeti i ‘Partia Mundësia’, Erald Kapri, ka ndarë një video nga Komisariati i Policisë në Shkodër, ku shihet një vajzë e mitur duke pritur të takojë të ëmën e saj, e cila ishte shoqëruar nga Policia pas një proteste në zonën e Rrjollit.
Gruaja ishte mes banorëve që prej rreth 20 ditësh po protestojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën Baks-Rrjoll, në Velipojë, ku ata pretendojnë se zotërojnë toka të trashëguara. Në video shfaqet momenti kur nëna del nga komisariati dhe takon vajzën e saj.
Kapri, përmes reagimit të tij, i ka bërë thirrje Prokurorisë që të nisë hetime lidhur me veprimet e policisë gjatë shoqërimeve të protestuesve.
Prej javësh, banorët e zonës janë përfshirë në protesta të përditshme kundër projektit të ndërtimit të resortit, ndërsa disa prej tyre janë shoqëruar në komisariat pas përplasjeve me forcat e rendit. Banorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat deri në një zgjidhje për çështjen e pronësisë së tokave.


