Një hetim i SPAK, nxori edhe njëherë në sipërfaqe emrin e Astrit Avdylajt por edhe të Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut. Ata dyshohen të jenë drejtues të dy grupeve kriminale të përfshira në përfshira në vrasje dhe në tjetërsimin e pronave në bregdet. Urdhër-arrestet e lëshuar për ta ju komunikua vetëm Avdylajt, i paraburgosur për të tjera hesape me SPAK, ndërsa Lahos vijon të jetë në kërkim. Në total SPAK siguroi 9 masa sigurie, 8 nga të cilat “arrest në burg”.
Në pranga përfundoi Enea Kume, vëllai i deputeti socialist, Loer Kume, Vullnet Muça, vëllai i Rrumit të Shijakut dhe Vlash Brahja, ndërsa në kërkim u shpallën Aleksandër Laho, Aldo Avdyli, Agron Bejdolli dhe Alfred Doka.
Një masë sigurie më e butë, “ndalimi i daljes nga shteti” është miratuar edhe për Ermira Avdylin. Sipas SPAK, grupi i Avdylajt është përgjegjës për vrasjen e Edmir Bregut, i njohur edhe si Ilir Kuçi (Maloku), janarin e vitit 2021 në Durrës, raporton A2CNN.
Vrasja është motivuar nga hakmarrja, pas një tentativë të të ndjerit për të vrarë nipin e Avdylajt, Aldo Avdylajt. Referuar hetimit, në ekzekutim është përfshirë si koordinues, Aldo Avdylaj, si ndihmës Enea Kume, ndërsa si ekzekutor Alfred Doka. Ndërsa i Aleksandër Laho, sipas SPAK, ishte drejtues i një grupi kriminal përgjegjës për falsifikime pronësie, me qëllim zhvatje pronash dhe tjetërsim nga Gjiri i Lalzit tek Kepi i Rodonit.
Sipas SPAK, të dyshuarit kanë falsifikuar akte të marrjes së Tokës në pronësi, duke shtuar parcela, prodhuar dokumente false, futur ato ilegalisht në arkivën e ZRVPP Durrës dhe paraqitur si tituj pronësie.
Po ashtu, ata kanë hequr fletë nga regjistrat e kartelave të pasurive e zëvendësuar me fletë të falsifikuara. Pasuritë me praktika false janë regjistruar më pas emrin e fshatarëve të fshatrave Lalëz, Draç, Bizë dhe Shetaj, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve nuk kishin dijeni se ishin pronarë të këtyre pasurive. Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive tek individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare.