Kreu i SPAK, Altin Dumani ka raportuar sot në Komisionin e Ligjeve mbi aktivitetin e institucionit që drejton, duke u ndalur edhe te kriminaliteti.
Dumani u shpreh se krimi i organizuar shqipfolës mbetet një ndër më aktivët jo vetëm në vend, por deri në Amerikën Latine dhe rrezikshmëria e tij ka ardhur në rritje, për shkak të aktivitetit të narkotrafikut kryesisht dhe fitimeve të mëdha që ai sjell.
Sipas tij, për vitin 2024, forca e këtyre grupeve ka rënë lehtësisht për shkak të goditjeve nga SPAK, por mbeten aktive si në trafik droge, por edhe në krimin kibernetik dhe qeniet njerëzore. Ai foli dhe për tipologjinë e organizatave kriminale dhe përpjekjen e tyre në rritje për pastrimin e parave, deri edhe në kriptovaluta.
“Krimi i drogës me nivel të lartë rreziku, kurse trafiku i qenieve njerëzore me rrezik mesatar. Grupet shqiptare janë me tendence sofistikimi dhe shtrirje gjeografike deri në Amerikën e Jugut dhe ato skandinave. Pastrimi para në progres rreziku të lartë nga veprimtaria e grupeve kriminale. Trafiku narkotikëve ka një ulje të lehtë si pasojë e goditjeve, por vijon aktiviteti kriminal. Tipologjia e gupeve kriminale janë aktive sidomos ato të narkotrafikut si në Itali, Belgjikë, Spanjë, Francë, por edhe në Norvegji e më tej. Veprojnë dhe blejnë drogë deri në Kolumbi, Ekuador dhe Paraguaj”, tha Dumani mes të tjerash.
Kreu i SPAK foli edhe për rezultatet konkrete, goditjen e këtyre grupeve, edhe në bashkëpunim me partnerët.
“Janë 16 grupe kriminale me rrezikshmëri të lartë të goditura, 10 janë dërguar në gjykatë. Grupet bëjnë komunikim të koduar, përdorim i pastrimit të parave në mënyrë të sofistikuar dhe deri në kriptovaluta kryesisht. janë Aktiv në shumë qytete të vendit si Tiranë, Shkodër, Lezhë, Durrës, Fier, Elbasan etj. Por edhe në mashtrim kompjuterik ka pasur aktivitet me një vlerë 6 mln euro të sekuestruara. Grupet shqiptare janë të përfshirë edhe në krimin kibernetik”, tha ai në Komisionin e Ligjeve.