Vëzhgimi
Kanë sulmuar faqet serbe dhe greke. Si merret password-i i “Facebook”
Hakerat, me faqe në rrjetin social “Facebook”
Veprimtaria e “Albanian Syber Army” dhe “Albanian Hakers Group”. Ndërhyrjet në kompanitë e udhëtimeve dhe e-mail-et spam
Grupi i hakerave që u arrestuan dje, ishin aktivë në rrjetin social “Facebook”. Ata kishin disa faqe me mijëra fansa, ndërsa e kishin titulluar “Albanian Hacker Group” dhe “Albanian Syber Army”. Ata njiheshin për “luftën” me hakerat maqedonas, grekë dhe serbë, duke sulmuar faqe interneti në këto shtete, madje vendosnin mbishkrime etnike. Sipas një vëzhgimi në rrjetin social, vihet re se grupi ishte mjaft aktiv, madje postimet e fundit datonin disa ditë më parë.
Madje, grupi kishte postuar edhe mesazhe në “YouTube”, ku paralajmëronin “homologët” e tyre serbë, grekë dhe maqedonas. “Lufta” online për sulet në faqen e këtyre vendeve është bërë kohët e fundit edhe më aktive, ku shqiptarët kanë hapur disa “fronte”.
Ndërkohë, grupi “Albanian Syber Army”, që dyshohet se u përket dy adoleshentëve nga Laçi, ka postuar në internet edhe foto të tyre, me armë në duar. Ata janë mjaft aktivë, madje kanë postuar edhe lajmet që flasin se “hakerat shqiptarë u kundërpërgjigjen atyre serbë”.
Mësohet se mënyra më e thjeshtë për t’i marrë password-in një individi në “Facebook”, është t’i dërgosh të shkarkojë një aplikacion që ka një ikonë të rremë, p.sh foto, por që realisht është një “spyware”. Personi i infektuar në këtë rast, monitorohet nga ky program dhe veprimtarinë e të gjithë kompjuterit ku instalohet, merren të dhënat personale që përdor.
Grupi i hakerave të quajtur “Albanian Syber Army” dhe “Albanian Hakers Group” tregojnë se kanë sulmuar faqe të rëndësishme qeveritare, shqiptare dhe të huaja, madje kanë kapur numra kartash krediti pa fund. Në një intervistë televizive, anëtarët e grupit “Albanian Hakers Group” u shfaqën në ekran të mbuluar me maska në kokë, ndërsa pohuan se sulmi i tyre më i madh ka qenë më 28 dhe 29 Nëntorin e vitit të kaluar në faqen greke dhe serbe, faqen online të këtyre institucioneve, dyqaneve dhe shkollave.
“Ne kemi sulmuar mbi 600 faqe në Greqi dhe Serbi. Ne marrim të gjitha të dhënat e këtyre faqeve dhe më pas i sulmojmë”, kanë pohuar në intervistë anëtarët e grupit.
Sipas tyre, disa vjedhje i kanë kryer edhe në Izrael, duke sulmuar dyqanet që shesin online, pra blerje me anë të internetit. Ata hynin në serverët e dyqaneve. Të dhënat e kartave regjistrohen në databazën e faqes online dhe hakerat ia merrnin me anën e disa programeve viruse.
“Pasi marrim aksesin në server, mund të shakrkojmë me anën e programeve të dhënat e kartave dhe i lexojmë me anën e programeve të ndryshme”, ka pohuar grupi. Sipas tyre, shuma e parave në karta është e ndryshme.
Anëtarët e grupit kanë pohuar se punonin edhe për të shkatërruar faqe interneti online. Ata kanë treguar se kanë sulmuar disa faqe interneti në Shqipëri, Kosovë, Serbi e më gjerë, pasi ishin paguar nga kundërshtarët e tyre. “Ne kemi sulmuar disa faqe interneti të lajmeve. Jemi paguar nga kundërshtarët e këtyre faqeve me nga 300-500 euro. Arrinim të futeshim në serverët e këtyre faqeve dhe i bënim të papërdorshëm. Këtë skemë e kemi kryer me dhjetëra herë”, kanë vijuar rrëfimin anëtarët, duke dhënë edhe shembuj konkretë të një rasti në Kosovë.
Ata thonë se kanë dërguar edhe mbi 270 mijë e-mail-e spam, për të marrë të dhënat. “Kompania t’i dërgon e-mail-et e rrezikshme, të cilat mund të jenë viruse, në spam. Ne mund të dërgojmë pdf, që mund të jetë një virus, i cili merr të dhënat personale të adresave të e-mail-it”, pohojnë anëtarët.
Një tjetër “arritje” e tyre është edhe futja në disa kompani udhëtimi amerikane, ku bëhen edhe pagesa online. Arritën të merrnin rreth 20 mijë të dhëna kartash dhe më pas filluan punën për t’i konvertuar këto të dhëna. Më pas, këto të dhëna, sipas tyre, mund të shiten në tregun e zi online. Sipas tyre, ata i kanë bërë presion kompanisë për t’i paguar që të mos t’i hidhnin në internet.
Krahas ndërhyrjeve, grupi thotë se ka bërë edhe “bamirësi”, pasi ka lajmëruar disa faqe interneti në Shqipëri për sulmet e hakerave serbë dhe grekë, para se të ndodhte sulmi.
Sulmet – “Ne kemi sulmuar disa faqe interneti të lajmeve. Jemi paguar nga kundërshtarët e këtyre faqeve me nga 300-500 euro”
E-mail-et spam – Kompania t’i dërgon e-mail-et e rrezikshme, të cilat mund të jenë viruse, në spam. Ne mund të dërgojmë pdf, që mund të jetë një virus, i cili merr të dhënat personale të adresave të e-mail-it
Kompanitë e udhëtimit – Arritën të merrnin rreth 20 mijë të dhëna kartash. Këto të dhëna, mund të shiten në tregun e zi online
