Në protestën që po zhvillohet prej dy javësh në Tiranë, një grup i drejtuar nga Pëllumb Pilinçi është shfaqur në shesh me pajisje zanore dhe duke shpërndarë flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Elda Menga, protestuesit e tjerë që janë mbledhur prej ditësh në Sheshin “Skënderbej” janë distancuar nga ky grup, ndërsa vijojnë grumbullimin e tyre me qëllim marshimin drejt Kryeministrisë.

Protestuesit kryesorë i kanë kërkuar grupit të Pilinçit që të ulin volumin e fonisë deri në nisjen e marshimit, në mënyrë që të ruhet organizimi i protestës. Nga ana e tyre, përfaqësues të grupit të Pilincit janë shprehur se kanë leje për zhvillimin e protestës, duke deklaruar gjithashtu se “prof. dr. Pilinçi është rrugës dhe pritet t’i bashkohet tubimit”. Më pas, grupi i Pilinçit ka nisur fjalimet në shesh, ndërsa protestuesit e tjerë kanë vijuar marshimin e planifikuar drejt Kryeministrisë.