Mashtrimi me TVSH-në, dëmi 25 milionë USD, kërkohet edhe gjobë për bizneset
Grupi I – Në mars 2015 përfundoi gjykimi për gjashtë personat e parë, të cilët u shpallën fajtorë dhe u dënuan me një total prej 9 vitesh burgim
Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 31 vjet burgim për “grupin e skrapit”, teksa nën akuzë janë 7 prej administratorëve të kompanive private, të përfshirë në skemën mashtruese. Sipas prokurorisë, kjo skemë i ka shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerë rreth 25 milionë dollarë. Gjithashtu, Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin me 10 milionë lekë të reja për kompanitë e administruara nga këta persona. Ky grup personash është pjesë e një hetimi të gjerë, për të cilën më parë janë dënuar 16 të pandehur të tjerë, me një total prej 35 vitesh burgim. Të gjithë të pandehurit akuzohen për veprën penale të “Falsifikimit të vulave, të stampave ose të formularëve”, kryer në bashkëpunim. Prokuroria e Tiranës ka zhvilluar hetimet dhe ka dërguar për gjykim mbi 30 persona dhe kompani, të konsideruara të nivelit të II, në mbledhjen dhe përpunimin e skrapit, të cilët kishin kryer veprime fiktive për përfitimin e padrejtë të rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH). Por për shkak të numrit të madh të të pandehurve, procesi gjyqësor ndaj kësaj skeme, u nda në disa pjesë. Kështu, në mars 2015, përfundoi gjykim dhe u shpallën fajtorë dhe u dënuan me një total prej 9 vitesh burgim 6 personat e parë dhe në dhjetor të atij viti u dënua grupi i dytë prej 10 personash, me një dënim në total prej 26 vitesh burgim. Ndërkohë, grupi i tretë i të pandehurve është në përfundim të gjykimit. Më konkretisht, Prokuroria e Tiranës kërkon dënimin e 7 administratorëve. Kështu, organi i akuzës thotë se Agim Xhika duhet të dënohet me 5 vjet burgim, Avni Hoxha, me 5 vjet, Robert Hoxha me 5 vjet, Ilir Allmeta me 5 vjet, Përparim Zeqaj me 6 vjet, Mimoza Hoxha me 3 vjet (të konvertohet në shërbim prove) dhe Vjollca Hoxha, të dënohet me 3 vjet burgim, (të konvertohet në shërbim prove). Më tej, kërkohet gjobitja me nga 1 milion e 500 mijë lekë të reja për personat juridikë “ALEKSI & AJSI”, “Hoxha”, “Xhois Group”, “Rei 2012”, “Franko 94”, “Silealb” dhe “Prokat”. Nga hetimet e deritanishme rezulton se subjektet tregtare të mësipërme, të konsideruara të Nivelit II, sasitë e skrapit i sigurojnë duke e blerë nga persona të ndryshëm, nga fitimi i tenderëve të ndryshëm për blerje hekuri, kryesisht nga demontimi i ish-fabrikave të ndryshme, apo nga subjekte të tjera, të cilët janë të regjistruar në QKR dhe në Sistemin Informatik të Tatimeve, me aktivitet grumbullim e shitje skrapi. Por në fakt, shumica e subjekteve, që janë hequr si të Nivelit III, janë regjistruar në mënyrë fiktive, vetëm për të tërhequr blloqet me fatura TVSH-je në Drejtoritë Rajonale të Tatimeve. Me këto blloqe lëshonin më pas fatura shitjeje me TVSH fiktive për shitje skrapi te subjekte të Nivelit II. Por kjo faturë quhej fiktive, pasi në fakt nuk kryhej shitje e mallit në të vërtetë, pra nuk dërgohej sasi skrapi. Dhe për të realizuar skemën, përdornin persona me vështirësi ekonomike ose të panjohur, të cilët i paguanin, duke i konsideruar si blerës të këtij malli. Duke mos njohur procedurat, këta punonjës përdoreshin në skemën e mashtrimit, kurse përfitimin e rimbursimit e tërhiqnin kompanitë fantazmë.