Zbardhen detaje të reja nga një incident i rëndë që ndodhi mesditën e sotme pranë KZAZ nr.30 në zonën e Kasharit. Në konflikt janë përfshirë katër të rinj me statusin e vëzhguesve dhe Sekretari i Komisionit Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve.

Ngjarja ka nisur pas një debati verbal për një fletë votimi që kishte dy shënime për dy kandidatë, mes tyre edhe për Ornaldo Rakipin. Komisioni e ka konsideruar votën të pavlefshme për shkak të shënimeve të dyfishta, ndërsa një prej të rinjve ka këmbëngulur që vota të konsiderohej e vlefshme për kandidatin Rakipi.

Sekretari i KZAZ ka kërkuar qetësi dhe ka thënë se fleta do të rishikohej për të marrë një vendim përfundimtar, por në atë moment një nga të rinjtë ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij. Agresori është identifikuar si Rei Nozlli dhe është arrestuar nga policia.

Pas incidentit, katër të rinjtë janë larguar me dy automjete që kishin parkuar jashtë qendrës së numërimit. Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht ngjarjen dhe për të identifikuar rolin e çdo personi të përfshirë.