Inspektorati i Punës, raport për sigurinë


bulqize-miniera_1Një tjetër viktimë është shënuar dje pasdite në minierat e Shqipërisë dhe pikërisht në vendin e njohur tashmë, Bulqizë. Nga burimet e policisë mësohet se 45-vjeçari, Shaban Grica, është viktima e radhës në minierat shqiptare. Nga të dhënat e deritanishme është mësuar se ai ka ndërruar jetë pasditen e djeshme, pasi e ka zënë poshtë një masiv gurësh në minierën e Martaneshit në Bulqizë. Ndërkaq, raportohet se ai ka ndërruar jetë në vend dhe ndihma e kolegëve ka qenë e panevojshme. Nga ana tjetër, policia dhe Inspektorati i Punës janë nisur në vendngjarje dhe kanë filluar punën për zbardhjen e shkaqeve të plota të aksidentit. Nga të dhënat e deritanishme është mësuar se shkak për këtë ngjarje të rëndë është bërë rrëshqitja e një masivi gurësh, nga ku Grica nuk ka mundur të dalë i gjallë. Ndërkaq, Inspektorati i Punës është duke përgatitur raportin për kushtet e sigurisë në të cilat punonin minatorët në Martanesh të Bulqizës dhe a kanë ndikuar ato në vdekjen e 45-vjeçarit. Një tjetër pjesë e hetimit është edhe përcaktimi i rrethanave të ngjarjes, pasi po merren edhe dëshmitë e minatorëve të tjerë që ndodheshin bashkë me Gricën në galeri. Masivi i gurëve, sipas dëshmive të para të minatorëve, e ka zënë poshtë papritur 45-vjeçarin, i cili kishte mbetur prapa shokëve dhe ata nuk kishin asnjë mundësi për ta ndihmuar. Me largimin e masivit të gurëve ata gjetën pa jetë shokun e tyre.