Vodhi 1 automjet nga vendparkimi i një hoteli, në lagjen nr. 1., kapet pas 30 minutash, nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetin e vjedhur, dhe vihet në pranga 31-vjeçarja.

Sekuestrohen automjeti i vjedhur dhe targat e tij, të cilat 31-vjeçarja i kishte hequr dhe hedhur në kazan mbeturinash.

Menjëherë pas kallëzimit të një shtetasi, për vjedhjen e automjetit të tij, të cilin e kishte parkuar në vendparkimin e një hoteli, në lagjen nr. 1, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë organizuan punën për zbardhjen e vjedhjes. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe ndalimi i autores së dyshuar të vjedhjes së automjetit, shtetases E. S..

Kjo shtetase dyshohet se ka vjedhur automjetin në pronësi të shtetasit A. M. dhe i ka hequr targat, të cilat i hedhur në një kazan mbeturinash, në dalje të qytetit.
Ajo është lokalizuar dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë, në afërsi të tunelit të Skërficës, duke drejtuar automjetin e vjedhur, rreth 30 minuta pas vjedhjes së tij.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtetasja E. S., 31 vjeçe, banuese në Sarandë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.