Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, deklaroi se nuk ka asnjë arsye që kryeministri Edi Rama apo qeveria të japin dorëheqjen, duke argumentuar se mazhoranca po vijon të zbatojë premtimin e saj kryesor elektoral, anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Çakërri theksoi se kryeministri ka shprehur gatishmëri për dialog me përfaqësuesit e protestuesve dhe për të diskutuar kërkesat e tyre.

“Nuk ka asnjë arsye që PS edhe Edi Rama të dorëhiqen, kur premtimi kryesor në fushatë ishte pikërisht anëtarësimi në BE. Deri në fund të 2027 Shqipëria do të mbyllë negociatat. Sot jemi në kapitullin 27 që ka po lidhje me mjedisin, që është një nga arsyet kryesore për të cilat nisi ky protestë. Integrimi ishte premtimi kryesor, ku 92 për qind e shqiptarëve e duan integrimin, e thotë barometri i BE. Kjo është fryma e 92 për qind e shqiptarëve. Kryeministri ka dalë që ditët e para dhe u ka shtrirë dorën duke u thënë sillni përfaqësuesin tuaj me kërkesat që ju keni dhe hajde t’i diskutojmë, t’i flasim, çfarë mund të bëjmë më mirë”, u shpreh Çakërri.