Gazetari Elton Qyno u shpreh se efekti i amnistisë nuk përfundon me lirimin e 553 të dënuarve dhe uljen e dënimit për 863 të tjerë, por pritet të shoqërohet me një valë kërkesash në gjykata.
Qyno theksoi se personat e dënuar për vrasje, trafik droge apo korrupsion mund të kërkojnë ulje dënimi përmes interpretimit të ligjit nga gjyqtarët, ndërsa paralajmëroi se boshllëqet ligjore dhe vendimet e diskutueshme të gjykatave mund të krijojnë mundësi për përfitime të tjera.
“Shiko, amnistia, faktikisht, kishte rreth dy vite që nuk ishte miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Hera e fundit kur u miratua ishte në periudhën kur ministër i Drejtësisë ishte Ulsi Manja dhe nuk pati një numër të lartë përfituesish. Diku te 430–440 persona përfituan atë vit. Më pas u pa e udhës që të miratohej një amnisti më e gjerë, si për sa i përket veprave penale, ashtu edhe për sa i përket pjesës së mbetur të dënimit.
Pra, nëse ishe dënuar me një dënim deri në tre vite burg, ose të kishte mbetur për të vuajtur një pjesë e dënimit prej rreth tre vitesh për një vepër penale për të cilën ishe dënuar, sigurisht që përfshiheshe në kategorinë e përfituesve të amnistisë. Kështu, shumë emra të njohur, siç i përmendët edhe në insertin tuaj, rezultuan se kishin të pambetur vetëm një pjesë të vogël të dënimit dhe, për rrjedhojë, përfituan nga kjo amnisti.
Kur them emra të njohur, kam parasysh Rozeta Dobin. Pavarësisht se është një emër që ka marrë vëmendje të madhe mediatike, në fund të fundit ajo kishte kryer rreth 3/4 e dënimit të dhënë nga Gjykata e Tiranës. I kishte mbetur vetëm një periudhë shumë e shkurtër për të vuajtur dhe, si rezultat i kësaj amnistie, ajo përfitoi dhe u lirua.
E njëjta gjë ndodhi edhe me ish-zyrtaren e AKSHI-t, e cila ishte dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, për një sasi shumë të madhe, rreth 50 e ca kilogramë. Megjithatë, pjesën më të madhe të dënimit, që nga momenti i arrestimit e deri në ditën e djeshme, ajo e kishte vuajtur. I kishte mbetur rreth një vit e gjysmë dhe, për këtë arsye, përfitoi nga amnistia.
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë, edhe për shkak të mënyrës se si është konceptuar amnistia. Ajo ka favorizuar realisht gratë, kryesisht ato që ishin dënuar për vepra më të lehta dhe që kishin kryer pjesën më të madhe të dënimit. Kjo amnisti u ka dhënë mundësinë të liroheshin. Natyrisht, nuk janë përfshirë rastet e grave të dënuara për vrasje apo për krime të tjera shumë të rënda të parashikuara nga Kodi Penal.
Ndërkohë, kemi edhe raste të tjera ku kanë përfituar individë të dënuar për vrasje, për trafik të lëndëve narkotike në bashkëpunim, si edhe persona të dënuar për vepra të ndryshme penale në kuadër të grupeve kriminale. Por këtu duhet të ndalemi dhe të shohim masën e dënimit që ata kanë vuajtur dhe pjesën që u ka mbetur pa vuajtur.
Pra, nëse marrim rastin që ju përmendët, një person i dënuar për vrasje të cilit i kishin mbetur vetëm 11 ditë burg, atëherë amnistia e përfshinte, sepse ai kishte kryer më shumë se 3/4 e dënimit.
Po, madje më shumë se 90% të dënimit, nëse e llogarisim në përqindje. Në fund të fundit, ato 11 ditë mund t’i kryente edhe duke qëndruar në qeli. Nuk është se nuk mund t’i bënte. Por shteti, përmes kësaj amnistie, është treguar human, duke vlerësuar se ato 11 ditë nuk ndryshojnë asgjë dhe, për këtë arsye, janë falur.
Ndërsa për rastet e tjera, kjo amnisti duhet parë me shumë vëmendje në mënyrën se si do të zbatohet në vijim. Amnistia nisi të zbatohej ditën e djeshme, duke liruar menjëherë 553 persona. Kjo është vetëm pjesa që kemi parë deri tani.
Unë jam i shqetësuar për faktin se edhe 863 persona të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Tani duhet parë se kush janë këta persona dhe sa është masa e uljes së dënimit që do të përfitojnë. Kjo amnisti u krijon gjithashtu të drejtën që të kërkojnë ulje dënimi edhe në gjykatë, jo vetëm përmes drejtorive të burgjeve.
Kur e them këtë, kam parasysh se do të kemi shumë kërkesa nga persona të dënuar për vrasje, trafik droge, korrupsion pasiv apo aktiv, sidomos në rastin e zyrtarëve të lartë. Edhe pse amnistia ka përjashtuar vendimet e dhëna nga Gjykata e Posaçme, është theksuar se ajo është gjithëpërfshirëse. Në fund të fundit, çdo person ka të drejtat e veta kushtetuese.
Nëse amnistia nuk zbatohet sot ose nesër nga administrata e burgut, ai person mund t’i drejtohet pas disa muajsh një gjykate, qoftë Gjykatës së Shkodrës, të Elbasanit apo të Durrësit. Atje mund të dalë një gjyqtar i cili, në interpretim të kësaj amnistie, t’ia ulë dënimin personit në fjalë.
Po, mund të kenë mundësi. Shiko, nëse drejtoria e burgut ku ai vuan dënimin nuk e zbaton amnistinë, atij i lind e drejta ta kërkojë këtë në gjykatën kompetente. Nëse vuan dënimin në burgun e Durrësit, kërkesën e paraqet në Gjykatën e Durrësit. Nëse e vuan në Peqin apo Elbasan, atëherë kërkesa shqyrtohet nga Gjykata e Elbasanit.
Prandaj them se, në fund, është gjyqtari ai që vendos. Dhe sa herë kemi shkuar në gjykata, kemi parë shumë çudira, shumë tolerime dhe shumë vendime të diskutueshme, të cilat nuk dua t’i rendis një e nga një.
Nuk është çështje preferencash, por kemi pasur raste konkrete. Për shembull, më vjen ndër mend rasti i Saimir Tahirit. Ai u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda, më pas u hetua edhe nga SPAK-u. Kishte një çështje në hetim dhe, ndërkohë, bëri një kërkesë në Gjykatën e Elbasanit, e cila vendosi lirimin e tij.
Pjesën më të madhe të dënimit ai e kishte vuajtur, por përmes kësaj kërkese iu lejua që pjesën e mbetur ta vuante në banesë. Pra, ka shumë hapësira ligjore, shumë boshllëqe dhe interpretime që u japin mundësi të dënuarve të përfitojnë ulje dënimi edhe në raste kur, sipas mendimit tim, nuk duhet të përfitojnë. Por nëse gjykata e jep një vendim të tillë, nuk ka më amnisti apo prokuror që ta ndryshojë.
Nga ana tjetër, kjo amnisti nuk mbaron vetëm me lirimin e 553 personave apo me uljen e dënimit për 863 të tjerë. Ajo pritet të rrisë ndjeshëm edhe numrin e kërkesave në gjykata.
Për më tepër, kjo amnisti do të çojë edhe në pushimin e ndjekjes penale për personat që akuzohen për vepra penale të dënueshme deri në tre vite burg. Pra, nëse je nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për një vepër penale, si për shembull falsifikimi i dokumenteve, që parashikon dënim deri në tre vite burg, prokurori duhet të kërkojë pushimin e çështjes për shkak të zbatimit të amnistisë.
Po kështu, edhe nëse çështja është në fazën e gjykimit dhe personi është i pandehur për një vepër penale që dënohet deri në tre vite burg, gjykata duhet ta zbatojë amnistinë dhe të pushojë gjykimin.”- tha ai.
