Ish deputeti i Partisë Demokratike, në një lidhje direkte në TCh ka folur mbi zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike dhe opozitën, e cila ka dalë në zgjedhjet lokale për Tiranën, me kandidaturën e aktorit të humorit, Florian Binaj. Sipas Sulës, “çudirat në këtë vend për opozitën nuk kanë fund”. Dhe ka shtuar më tej:
“Ka një histori të bukur këtej nga Gramshi, ku dy barinj ishin duke ruajtur delet. Në një moment, njërit prej dy barinjve i rrëshket këmba dhe bie në drejtim të greminës. Bariu tjetër, i cili pa që kolegu i tij po binte i thirri: U vrave? Dhe bariu tjetër ia ktheu: Ti po më pyet a u vrave, po unë nuk kam rënë akoma. Edhe Partia Demokratike dhe opozita vazhdon të bjerë, ende nuk e ka prekur fundin”.
Ndërsa në lidhje me kandidaturën e PD në Tiranë, Sula ka thënë se “nëse më duhet të bëj një paralelizëm, i pëlqen që të martohet Z. Florian Binaj, pra që qejfi ia ka dhe thotë, unë dua të martohem por nuk më pëlqen bashkëshortja. Ose e thënë me fjalë të tjera, dua të martohem por nuk dua të dal në pazar me gruan, nuk dua të më shohë dynjaja.
Eshtë krejt e pamundur, që pa votat e subjektit politik, të mund të bësh diçka. Sepse na dalin disa pikëpyetje: Po komisionerët, kush do t’i japë? Se ti si Parti Demokratike nuk ke kandidat, nuk regjistrohesh. Po fondet? Se nuk ke kandidat për zgjedhjet.
E gjithë kjo situatë i shkon për shtat vetëm një njeriu: Profesor Doktor Sali Berishës! Ai do të ruajë status quo-në e vet. Që nesër të thotë, unë nuk humba, ja ju shoqëria civile humbët. Pra jemi të gjithë të paaftë për të mundur Edi Ramën dhe Partinë Socialiste. Dhe kështu, edhe unë vazhdoj kryetar i opozitës, edhe ju të shoqërisë civile e patë që nuk mundet regjimi…”.
Më tej, Sula ka thënë se si duhet të veprohet sipas tij: “O e quan regjim, apo narkoshtet, diktaturë dhe zgjedh të përballesh me regjimin dhe diktaturën me mjete politike, dhe e rrëzon me votë. Ose nuk është regjim dhe nuk rrëzohet me votë dhe ka mjete ekstraligjore, si rebelimi dhe e rrëzon me kalimin e kohës. Por nëse ti bëhesh shtojcë e regjimit, nëse ti vazhdon ta quash regjim por bëhesh pjesë dhe e legjitimon, nuk shkon. O është, o nuk është!”