Kryeministri Edi Rama deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, duke theksuar se vendi tashmë po tërheq interesin e dhjetëra shteteve për produktet e prodhuara në vend.
Gjatë fjalës së tij, Rama pranoi se në të kaluarën ka munguar guximi dhe vizioni për të ndërmarrë hapa të tillë.
“Edhe ne vetë kemi qenë më pak të ditur dhe jo mjaftueshmërisht të guximshëm”, u shpreh ai.
Kryeministri njoftoi krijimin e një baze të re logjistike, e cila, sipas tij, do të funksionojë si një kompani në shërbim të të gjitha kompanive të vendit dhe do të ketë rol kyç edhe në përballimin e situatave të emergjencës.
Një tjetër zhvillim që Rama e cilësoi si të rëndësishëm ishte hapja e Ministrisë së Mbrojtjes për turizmin, përmes partneriteteve që, sipas tij, do të shtrihen edhe në sektorë të tjerë.
Ai e quajti këtë një ditë historike për Forcat e Armatosura, duke shtuar se aktiviteti i zhvilluar është vetëm i pari në një seri prezantimesh që do të tregojnë progresin e Shqipërisë në këtë fushë.
Sipas Ramës, aktualisht 30 vende i drejtohen Shqipërisë për të siguruar mjete të prodhuara në vend, një arritje që ai ia atribuoi vizionit, kurajës dhe vullnetit të qeverisë.
