Një tentativë grabitjeje në Selanik ka dështuar, pasi pronari shqiptar i një minimarketi reagoi menjëherë dhe detyroi autorët të largoheshin pa marrë asgjë nga biznesi.

Ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë, ku dy persona të maskuar me kapuçë dhe maska hyjnë në dyqan me qëllim grabitjen. Por pronari i biznesit nuk është tërhequr përballë tyre. Ai ka marrë një shkop bejsbolli dhe është përballur me autorët, duke i nxjerrë jashtë lokalit.

Pas largimit të grabitësve, biznesmeni shqiptar i ka ndjekur nga pas duke i sharë në gjuhën shqipe. Në videon që po qarkullon në rrjetet sociale dëgjohet teksa u bërtet autorëve: “Hajde këtu…”, ndërsa ata largohen me vrap nga vendi i ngjarjes.

Fatmirësisht nga incidenti nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa policia greke ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.