Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo ka deklaruar se Posta Shqiptare ka rënë pre e një sulmi kibernetik nga hakerat iranianë “Homeland Justice”.
Në një dalje publike, minsitri u shpreh se po zhvillohet një analizë e detajuar nga AKSHI dhe nga ekspertët e postës për të kuptuar deri në çfarë pike janë prekur të dhënat e institucionit, teksa shtoi se shërbimet e postës vijojnë normalisht.
“Momenti që flasim po zhvillohet një analizë e detajuar nga AKSHI dhe nga ekspertët e postës. Të gjitha shërbimet e postës vazhdojnë normalisht s’ka të dhëna për informacione të inkriptuara të paaksesueshme nga vetë posta. Vetë autoriteti kombëtarë i luftës kibernetike i ka të gjitha kapacitetin për integritetin e të dhënave të institucioneve shqiptare”, u shpreh ai.
Grupi iranian “Homeland Justice” ka publikuar në grupin e “Telegram” një deklaratë, ku njoftohet mbi këtë sulm, e po ashtu thuhet se veprimet e ardhshme të tyre do të jenë më të kushtueshme.
“Posta Shqiptare u sulmua nga Patriotët e Drejtësisë së Atdheut për shkak të bashkëpunimit të saj të vazhdueshëm me terroristët e Muxhahedinëve dhe lehtësimit të akteve të këtij grupi. Zyrtarët e korruptuar të Postës Shqiptare, të cilët ua kanë dhënë autoritetin e plotë pedofilëve të regjimit Epstein dhe nuk kanë asnjë liri veprimi dhe pavarësi të tyre, janë kthyer në shërbëtorë dhe skllevër të papaguar të terroristëve të Kampit Ashraf 3 për disa muaj. Drejtësia e Atdheut e konsideroi detyrën e saj të ndërmarrë veprime kundër këtij institucioni të korruptuar në qeveri. Veprimet tona të ardhshme do të jenë më të vështira, më shkatërruese dhe më të kushtueshme”, thuhet në njoftimin e “Homeland Justice”.






