Familjet e të rinjve si hakerë në Elbasan e kanë marrë si “bombë” përfshirjen në këtë rrjet vjedhjesh. Ato tregojnë se ata nuk mund të jenë hakerë, por kanë rënë pre e të tjerëve


Nëna e Kejdit: Nuk e kisha parë kurrë me para


Bardha Nergjoni


Albanian Cyber Army

Albanian Cyber Army


Kejdi Stambollxhiu banon në lagjen “Beqir Dardha”, në një rrugicë pranë shkollës “Qemal Stafa” që tani ka marrë emrin “Vasil Kamami” të qytetit të Elbasanit. Ai ka mbetur jetim në moshë të vogël, pasi babai i është vrarë në 1999. Nëna e tij Mirela, shumë e tronditur, na hap derën duke lotuar. Ka 24 orë që kërkon të kuptojë se çfarë ka bërë realisht i biri i arrestuar një ditë më parë, pas një kontrolli të banesës.


 


Kontrolli


“Rreth orës 7:30, në shtëpinë time, kanë ardhur disa efektivë të policisë. Unë kisha dalë për një punë dhe derën ia ka hapur e gjyshja. Policët i kanë dhënë nënës një letër në dorë, që më vonë e pamë që ishte akt kontrolli nga Gjykata e Elbasanit dhe pasi kanë zgjuar djalin, kanë filluar të kontrollojnë shtëpinë. Djali kishte një sy të kuq, për shkak se ishte ndjerë keq disa ditë më parë, ndërsa ata i kanë thënë ‘ke qëndruar shumë në kompjuter’, prandaj e ke syrin në atë gjendje. Më pas i kanë thënë ‘ku i ke lekët’. Djali i ka thënë ‘i kam prishur’. Pasi kanë kthyer shtëpinë përmbys, kanë marrë kompjuterin, dekoderin dhe çdo gjë tjetër e janë larguar bashkë me djalin”, ka pohuar Mirela, duke vijuar të tregojë të gjithë ndodhinë kur Policia e Elbasanit ka bastisur shtëpinë.


“Kur erdha, e mësova të gjithë këtë. Nuk di çfarë ka bërë djali im. Më thanë se pasi të kontrollohet kompjuteri, do mësohet çdo gjë” vijon nëna, duke shtuar se shpreson se djali t’i dalë shpejt. “Nuk ka bërë asgjë. Unë e kontrolloja vazhdimisht. Nuk i kam parë lekë në xhepa”, vijon rrëfimin Mirela, ndërsa shton se ka tre fëmijë jetimë.


“Më ndihmojnë shoqatat për t’i rritur dhe për këtë arsye kam edhe disa llogari në banka për këto shoqata. Nuk di se si është e vërteta. Djali im nuk është kriminel”, vijon nëna, që tregon gjithashtu se i biri, vetëm pak ditë më parë kishte festuar ditëlindjen dhe është ndër ditët e pakta që ajo e linte të largohej në mbrëmje. Edhe atë ditë, ajo i kishte dhënë para për të festuar me shokët.


“Unë e kontrolloja. Prandaj i mora internet në shtëpi, sepse të dy djemtë shkonin në internet kafe. Harxhonin para dhe nuk i kontrolloja dot atje, kurse në shtëpi ishte më ndryshe. Prandaj mora internet me telekomin. Në lidhje me shoqërinë me personat e tjerë, veçanërisht me Ilir Lajthinë, ajo ka pohuar se “më dukej djalë i urtë, i sjellshëm. Vetëm sa përshëndeteshim. Nuk e lejoja Kejdin të fuste në shtëpi shokët e tij”.


 


Shkolla


Kejdi sapo kishte përfunduar vitin e 4 të shkollës së mesme në gjimnazin “Qemal Stafa”. Ai kishte konkurruar për teknologji informacioni, por dega që ishte shpallur fitues ishte për turizëm në Gjirokastër. “Ne nuk kishim mundësi të iknin ta çregjistronim në Gjirokastër. Duheshin para për të ikur e për t’u çregjistruar në Gjirokastër. Ne nuk i kishim. Atëherë Kejdi i shkroi një e-mail Ministrisë së Arsimit. Nuk mori përgjigje, të paktën kështu më tha”, vijon nëna, duke shtuar se për këtë arsye mbeti pa shkollë këtë vit.


“Nuk e besoj kurrë që djali im është ashtu siç e përshkruajnë. Ai është mashtruar dhe e kanë përdorur, pasi nuk mund t’i bëjë vetë këto gjera. Pastaj unë do ta kisha kapur një herë me para. Nuk ka pasur para siç flitet. Jam e sigurt për këtë”. Tashmë nënës do t’i duhet të gjejë një avokat për të birin, i cili ende ndodhet në qelitë e Komisariatit të Elbasanit deri në vlerësimin e masës së sigurisë.


 


 


Detaje


Apeli – Nëna e Kejdi Stambollxhiut thotë se ka tre fëmijë jetimë, pasi bashkëshorti i është vrarë në vitin 1999. “Më ndihmojnë shoqatat për t’i rritur dhe për këtë arsye kam edhe disa llogari në banka për këto shoqata. Nuk di se si është e vërteta. Djali im nuk është kriminel”


Kontrolli – Policët i kanë thënë ‘ku i ke lekët’. Djali i ka thënë ‘i kam prishur’. Pasi kanë kthyer shtëpinë përmbys, kanë marrë kompjuterin, dekoderin dhe çdo gjë tjetër


 


Deklaratat


“Iliri është mashtruar, nuk kishte as njohuritë më minimale të kompjuterit”


Familja Lajthia banon në lagjen “Kongresi i Elbasanit”, pranë Komisariatit të Policisë, në katin e parë të pallateve të vjetra. Të gjithë e njohin Ilirin dhe askush nuk e beson se ai do të arrinte deri në vjedhje me anë të internetit. Ai ishte një djalë i heshtur, pa shumë fjalë dhe trupvogël.


Punonte transportues picash dhe kishte ndërruar punë të vogla pa ndonjë impenjim të madh. Familja Lajthia është shokuar nga arrestimi i të birit, pasi kurrë nuk do ta besonte se i biri ishte hajdut në internet ose me fjalën e vështirë për ta shqiptuar haker, siç e kanë dëgjuar së fundi nga mediat.


 


Familjarët


Një nga motrat shprehet se “nuk ka mundësi që Iliri të piratojë me anë të internetit”. Sipas familjarëve, 28-vjeçari nuk është njohës i mirë i kompjuterit.


“Ai nuk është nga ata djem që njeh kaq mirë programet, pasi ndryshe do të kishte një punë në internet-kafe apo lojërash kompjuterike. S’e besoj që ka ndodhur. Por nëse ka ndodhur, ai ka rënë viktimë e dikujt tjetër që është profesionist në këtë fushë” vijon motra, duke shtuar se janë të pavërteta fjalët se ka përfituar miliona euro.


“Kam lexuar e dëgjuar që bëhet fjalë për miliona euro e dollarë, kur ai nuk kishte të holla as për kafenë e mëngjesit. Pastaj, nëse do kishte aq lekë nëpër duar, ne do ta kishim diktuar. Ndaj e përsëris: Ai është viktimë e dikujt dhe i kërkoj organeve kompetente të zbulojnë të vërtetën”, thotë jo.


Iliri nuk kishte internet në shtëpi, ai rrinte për një kohë të gjatë në internet-kafe në lagjen ku banonte.


 


Shokët


Të gjithë ata që e njihnin, pohojnë të njëjtat gjëra. Një shok i tij, që e njeh mirë kompjuterin, thotë se Iliri maksimumi njihte chat-in dhe hynte shpesh të faqen ‘MIRC’, por asgjë më tepër. Madje, ai thotë se “nëse do të marrin specialist të kompjuterit dhe do ta testojnë, Iliri do të dështojë, pasi ai njeh shumë pak nga kompjuteri”. Sipas shokëve, kjo ka qenë edhe arsyeja pse ai është përfshirë në këtë rrjet të vjedhjeve nëpërmjet internetit.


“Dikush e ka gënjyer e joshur se mund të fitonte para dhe thjesht i ka përdorur llogarinë e tij bankare, duke lënë gjurmë aty. Kjo është e gjitha. Iliri nuk mund të jetë kurrë haker. Ai ka pasur nevojë për para dhe ata e gënjenin me shuma minimale për përdorim të llogarisë”, vijojnë shokët, duke shtuar se kërkojnë që të bëjnë edhe një vlerësim psikologjik për Ilirin pasi ai kuptohet se është mashtruar. B.N


 


Motra e të arrestuarit: Është viktimë. Shokët: I kanë përdorur thjesht llogarinë bankare


Motra – Kam lexuar e dëgjuar që bëhet fjalë për miliona euro e dollarë, kur ai nuk kishte të holla as për kafenë e mëngjesit


Shokët – Nëse do të marrin specialist të kompjuterit dhe do ta testojnë, Iliri do të dështojë, pasi ai njeh shumë pak nga kompjuteri.


Dënimi – Veprat penale me të cilat do të përballen dy të rinjtë ka një masë dënimi deri në 7 vjet