Laç


Prokuroria nuk e ka vërtetuar plotësisht implikimin e tij në krim


Xhelal PoleshiTaksisti Xhelal Poleshi, i cili akuzohet se ndihmoi atentatorët e vëllezërve Shkreta, do të qëndrojë në burg. Gjykata e Laçit vendosi për atë masën e sigurisë “arrest me burg”, bazuar te provat e paraqitura nga prokurori. Poleshi ka denoncuar vjedhjen e mjetit të tij tip “Mercedes Benz” pak pasi ndodhi krimi, por më pas ekspertët dyshuan se ai ishte njëri nga personat që i ka dhënë ndihmë të dyshuarit për vrasjen e Gentian Shkretës dhe plagosjen e vëllait të tij, Aurelit. Ndërkaq, familja e taksistit është larguar nga Fushë-Mamurrasi, pasi jetonin mjaft afër me familjen e viktimave dhe kishin frikë nga hakmarrja. Nuk dihet ende deri në cilën shkallë është implikimi i Poleshit, por organi i akuzës dhe policia besojnë në grumbullimin e provave të mëtejshme. Nga ana tjetër, familja Shkreta ka folur sërish mbi hakmarrjen, duke deklaruar se vetëm arrestimi i Jetmir Llanit, i vëllait të tij dhe dënimi maksimal i të dyve nga drejtësia, mund të ndalë zinxhirin e vrasjeve mes tyre. Kështu është shprehur gjatë një interviste televizive Aurel Shkreta, i cili i ka ende 4 plumbat në trup të marra në pritën e pasdites së të dielës, ku mbeti i vrarë vëllai i tij, Gentiani. Aureli është edhe dëshmitari i vetëm që identifikon Jetmir Llanin si autor në ngjarje. Familja e Aurelit ruhet nga FNSH-ja, por nuk dihet dhe për sa kohë do ta ruajnë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Edhe familja e Jetmir Llanit është mbyllur në banesë, duke u ruajtur nga ndonjë tjetër krim hakmarrës, nga Shkretët, ndërsa Jetmir Llani vazhdon të jetë në arrati, edhe pse për arrestimin e tij janë angazhuar forcat speciale RENEA. A.B.


 


Hetimet


Poleshi denoncoi se i kishin vjedhur mjetin, por policia vërtetoi se ai ndihmoi vëllezërit Llani të largohen nga vendi i ngjarjes