altin arapiGjykata e Lartë ia kalon çështjen Apelit të Krimeve të Rënda. Prishen vendimet me burgim të përjetshëm për Orik Shytin dhe Altin Arapin, si dhe 7 të dënuarit e tjerë


orik shytiGjykata e Lartë ka kthyer për shqyrtim një nga çështjet më të bujshme në Shqipëri, atë të procesit të anëtarëve të organizatës kriminale “Hakmarrja për drejtësi”, e cila lulëzoi pas viteve ’90. Dy organizatorët, Orik Shyti dhe Altin Arapi, u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa ditën e djeshme, këto vendime u prishën. Një kolegj i Gjykatës Supreme vendosi që çështja t’i kalojë Apelit të Krimeve të Rënda, duke shtangur palët në proces. Avokatët u surprizuan me vendimin, teksa thanë se nuk e prisnin. Po ashtu edhe prokuroria, e cila pretendoi në gjykim se nuk kishte shkelje procedurale apo Kushtetuese. Banda akuzohet për disa vrasje, ndër to edhe të shoferit të ish-kryeprokurorit Sollaku, Genci Sina.


 Seanca e djeshme


Kolegji penal i Gjykatës së Lartë riktheu dje për gjykim çështjen “Hakmarrje për Drejtësi”. Dosja do të gjykohet nga e para në Apelin e Krimeve të Rënda, ku në bankën e të akuzuarve do të ulen 10 të pandehur. Në seancën e djeshme, kolegji penal i Gjykatës së Lartë nuk dha arsyetimin e këtij vendimi, duke mjaftuar me fjalët e prishjes së vendimit të dy shkallëve të gjyqësorit dhe kthimin e çështjes për rigjykim në Apelin e Krimeve të Rënda në Tiranë. Me këtë vendim, Gjykata prishi dy dënime me burgim të përjetshëm që janë dhënë ndaj të dyshuarve si krerët e kësaj organizate Orik Shyti dhe Altin Arapi. Mësohet se janë shfuqizuar dënimet me nga 25 vjet burg për të pandehurit Gentian Caka e Roland Shyti. Dënimi me nga 24 vjet burg për secilin nga të pandehurit Kreshnik Spahiu, Leart Shyti e Nikolin Novruzaj. Vendimi i dënimit me 23 vjet burg edhe për të arrestuarin Dritan Hate, të shpallurit në kërkim Pasho Novruzaj, pasi ishte i dënuar me 17 vjet burg, si dhe ndaj Gëzim Gjonit, i vetmi që ka përfunduar këtë masë dënimi. Këto masa dënimi janë dhënë në vitin 2009 nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, të cilët përfunduan pas 13 vitesh procesin gjyqësor ndaj 10 të pandehurve të kësaj dosjeje.


Orvatjet e çështjes


Pak kohë më parë, Gjykata Kushtetuese urdhëroi Gjykatën e Lartë të rishqyrtojë ankimin e të pandehurve, ankim i cili u pranua. Mësohet se “Hakmarrja për drejtësi” pas dy dekadave mbetet ende një proces gjyqësor pa vendim përfundimtar. Pas ankimimit në Gjykatën Kushtetuese të Orik Shytit, një prej të dënuarve me burg përjetë, por që ende ndodhet në arrati, u rihap çështja, teksa kaloi në Gjykatën e Lartë. Vëllezërit Orik dhe Laert Shyti, të dënuar përjetë, kërkojnë nga drejtësia rihapjen e çështjes, pasi ata pretendojnë për një proces politik në shkelje të të drejtave të njeriut, për të cilin tashmë kanë fituar dhe azil politik. Të dënuarit e “Hakmarrjes për drejtësi” akuzohen për vrasjen e Genci Sinës, shoferit të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2003. Ndërkohë, edhe pas vendimit të djeshëm, avokatët shprehën habi për vendimin, pasi sipas tyre, nuk e prisnin kthimin për gjykim. Ata pretenduan se klientët e tyre janë të pafajshëm. 10 të pandehurit akuzohen për rreth 24 vepra penale, që nga vrasja e ish-drejtorit të burgjeve Bujar Kaloshi, rrëmbimin e fëmijës Erion Nushi e deri te vënia e bombës te supermarketi i “VEFA-s” e grabitjeve të ndryshme me armë që nga viti 1992 deri në vitin 1996 kur edhe u arrestuan. Trazirat e vitit 1997 bënë që të dyshuarit të largohen nga burgu, ku 5 prej tyre tashmë kanë fituar azil politik në vende të ndryshme të BE-së për shkak të këtyre akuzave dhe procesit gjyqësor.