Viktor Bardhi është ekzekutuar me armë zjarri ditën e sotme në Mirditë, në një ngjarje të rëndë që rikthen në vëmendje historikun e përgjakshëm të familjes Bardhi.

Vetëm tre vite më parë, në shtator të vitit 2023, vëllai i tij, Martin Bardhi, u vra me armë zjarri në ambientet e lokalit të tij në Mirditë. Krimi dyshohet se lidhej me një konflikt të hershëm dhe hakmarrjen.

Martin Bardhi sapo kishte dalë nga burgu kur u ekzekutua. Ai ndodhej në një tavolinë së bashku me tre të afërm, kur dy persona të maskuar zbritën nga një automjet dhe hapën zjarr me kallashnikov.

Breshëria e plumbave i mori jetën Martin Bardhit në vend, ndërsa tre të afërmit e tij mbetën të plagosur.

Por seria e ngjarjeve të rënda që kanë prekur familjen nuk u ndal me kaq. Në vitin 2025, një tjetër anëtar i familjes u vra me armë zjarri.

Kristian Marku, i njohur edhe si Kristi Bardhi, 30 vjeç, nipi i Martin Bardhit, u ekzekutua në autostradën Fier–Vlorë, pranë fshatit Novoselë.

Ndërsa sot, Viktor Bardhi është viktima e radhës e një serie ngjarjesh të rënda që kanë goditur familjen ndër vite.

Policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të vrasjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe përcaktimin e motivit të krimit.