SPAK ka zbardhur rolet e katër të pandehurve në vrasjen e Fatbardh Licit, krim i ndodhur me 10 Gusht 2018 ne qytetin e Shkodrës.
Prokuroria e Posaçme informon se krimi është organizuar nga Behar Brajoviç si shenjë hakmarrje për vrasjen e Boran Bërcanas dhe bashkëshortes së tij, Silvi Ndoci (të njohur të të pandehurve), ngjarje e ndodhur në korrik të vitit 2018, po ashtu në Shkodër.
Sipas SPAK, Behar Brajoviç ia ka atribuar vrasjen e dyfishtë Ibrahim Licit, nipit të Fatbardh Licit.
“Në dinamikë të këtyre ngjarjeve të ndodhura, i pandehuri Behar Brajoviq, në bashkëpunim të vecantë me të pandehurit, Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë organizuar dhe vrarë në datën 10.8.2018, në Shkodër, shtetasin Fatbardh Lici, xhaxhain e shtetasit, Ibrahim Lici”, thuhet në njoftim.
Ekzekutori i drejtpërdrejtë, informon organi i akuzës, ka qënë Astmer Bilali, ndërsa autorët kanë lëvizur me një automjet të vjedhur.
“Të pandehurit Safet Rustemi dhe Astmer Bilali kanë përdorur një mjet të vjedhur të markës, Benz ngjyrë gri me targa AA 760FX, i cili rezulton i vjedhur. Ata janë afruar tek vendi ku ndodhej lokali me qira i shtetasit, Sokol Lici, ku çdo ditë pothuajse në të njëjtën orë shkonte dhe pinte kafen, vëllai i tij, viktima Fatbardh Lici, xhaxhai i Ibrahimit. Viktima ka qenë i ulur jashtë lokalit dhe pasi automjeti është afruar pranë tij, nga dera e pasagjerit ka zbritur i pandehuri Astmer Bilali, i cili ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij, duke e lënë atë të vdekur”, informon SPAK.
Pas krimit, mjeti është larguar në drejtim të zonës së Dobraçit, ka hyrë në njërën nga kthesat ku ndodhej banesa e Safet Rustemit dhe më pas është kthyer duke u larguar. Makina e autorëve është djegur po në zonën e Dobraçit. Pas krimit, Safet Rustemi ka qëndruar në Shkodër, ndërsa Astmer Bilali është larguar menjëherë drejt Tiranës, së bashku me të dashurën e tij Eria Ago, e cila rezulton të ketë përkrahur autorët pas kryerjes së vrasjes, sipas SPAK.


