Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi mori pjesë në përurimin e godinës së Gjykatës së Pogradecit, nga ku pranoi se në sistemin gjyqësor ka korrupsion, por lufta ndaj tij mbetet një prioritet i dikasterit që ai drejton dhe KLD-së.
“Në sistemin gjyqësor ka korrupsion. Korrupsioni në sistemin gjyqësor vazhdon të jetë një sfidë për të gjithë faktorët, për vetë sistemin, KLD-në dhe Ministrinë e Drejtësisë”,- deklaroi ministri Halimi.
Gjykata e Pogradecit u rikonstruktua nga një fond prej 500 mijë eurosh me ndihmën e USAID-it. Henry Jardine, i Ngarkuar me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, në fjalën e tij tha: “Gjykata e mëparshme nuk kishte hapësirën dhe kushtet e nevojshme për zhvillimin normal të proceseve gjyqësore. Gjykata e rinovuar që shohim sot, është rezultat i një pune shumë të madhe. Ju përgëzoj për këtë arritje”.
3 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)