Rotacioni
Ministri i Drejtësisë: Transferimet e mëparshme, jo në bazë të meritës
Javën e ardhshme, në KLD do të shqyrtohet rishpërndarja e gjyqtarëve
Ministri i Drejtësisë, Eduart Halimi, ka paralajmëruar një rotacion të rreth 320 gjyqtarëve në të gjithë vendin. Rishpërndarja e tyre do të bëhet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, sipas një studimi që është kryer nga Ministria e Drejtësisë së bashku me EURALIUS dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Sipas Halimit, implementimi i reformave, në sistemin e gjyqësorit, do të bëjë të mundur krijimin e një fizionomie të re të të gjitha gjykatave në vend, duke pretenduar se Bashkimi Europian, në progres-raportin e tij, e ka përkrahur këtë reformë, duke e cilësuar si shumë të rëndësishme, madje edhe të vonuar. “E kemi diskutuar këtë reformë edhe më parë, me anëtarët e KLD-së, dhe sigurisht kjo reformë nuk mund të vinte pa u krijuar një sistem pikëzimi, një sistem të karrierës së gjyqtarëve në bazë të meritës, në mënyrë që të mos kemi ato praktika të cilat kanë qenë jashtëzakonisht të kritikueshme dhe që kanë dëmtuar sistemin. Praktikat e mëparshme kanë synuar transferimin e gjyqtarëve, jo në bazë të meritës, por në bazë të interesave të njërit apo tjetrit. Javën e ardhshme në KLD do të shqyrtohet rishpërndarja e gjyqtarëve”, ka paralajmëruar ministri i Drejtësisë.
Gjatë fjalës së tij, Halimi përshëndeti kërkesën e disa anëtarëve të KLD-së, të cilët vunë në lëvizje dosjet për procedimet disiplinore të gjyqtarëve, të cilat flinin në këtë institucion, prej dy vitesh, duke treguar vendosmëri për t’u përballur me ligjin dhe Kushtetutën ata gjyqtarë, të cilët kanë kryer shkelje. Procesi i transferimit të gjyqtarëve dhe promovimit do të bëhet në bazë të vlerave, aftësive dhe meritës. “Besoj se reformat do të mirëpriten mirë nga gjyqtarët dhe ftoj sërish Ambasadën Britanike, që mbas disa muajsh, ndoshta në mars të vitit të ardhshëm, të bëjnë një sondazh të dytë, për të parë se cili ishte perceptimi i tyre, krahasuar me një vit më vonë, pas mbledhjes së ardhshme të KLD-së, mbledhje në të cilën do të ketë lëvizje të gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë për të parë perceptimin tyre, pas kësaj kohe”, citoi kreu i drejtësisë.
Lëvizjet – Praktikat e mëparshme kanë synuar transferimin e gjyqtarëve, jo në bazë të meritës, por në bazë të interesave të njërit apo tjetrit
Halimi – Implementimi i reformave, në sistemin e gjyqësorit, do të bëjë të mundur krijimin e një fizionomie të re të të gjitha gjykatave në vend