Në operacionin për ndalimin plagoset edhe një efektiv policie


Maskimet në natën e Hallouinit janë bërë të “modës” edhe në Shqipëri. Arkimed Lushaj, i njohur me emrin e artit “Stresi”, ka preferuar që natën e 31 tetorit të mbajë në brez një armë zjarri, duke marrë pamjen e një “krimineli”. Me armë në brez ai ka shkuar në një lokal në rrugën “Murat Toptani” në Tiranë, duke iu bashkuar miqve të tij. Një informacion ka mbërritur në polici, përkatësisht në Komisariatin e Policisë nr.1, duke treguar se individë të veçantë mbajnë armë në vende publike. Një patrullë policie është drejtuar vendit ku u raportua se kishte armë. Policët parkuan automjetin dhe kërkuan informacione tek dera e lokalit, kur befas pikasën një person me armë në brez. I kërkuan që të ndalonte, por personi në fjalë shpejtoi hapat dhe po lëvizte me shpejtësi për t’iu shmangur arrestimit. Policët nxorën armët e zjarrit dhe i bënë thirrje “ndal policia”. Në një moment, ata kanë qëlluar, teksa dëshmitarët okularë tregojnë se “ka pasur krisma”. Ende nuk është konfirmuar nëse krismat kanë qenë në ajër, ndërsa u bë i mundur edhe ndalimi i personit me armë. Pas verifikimeve të para rezultoi se ai ishte Arkimed Lushaj, i njohur me nofkën “Stresi”, i dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda për gjobëvënie. Ndërkohë, burimet nga policia pohojnë se një nga punonjësit që mori pjesë në arrestimin e Lushës është plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia jep pak të dhëna për plagosjen, teksa konfirmon se “ndalimi i Arkimed Sali Lushajt është bërë me akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe të kundërshtimit të punonjësve të policisë në krye të detyrës, ndërsa në momentin e kapjes ishte në gjendje të dehur”. Nisur edhe nga formulimi i akuzave, ka dyshime se punonjësi i policisë është plagosur nga kolegu i tij, në tentativë për të qëlluar në ajër. Gjithsesi, burimet policore pohojnë se paraprakisht janë marrë në pyetje një numër i madh personash që kanë qenë në lokalin ku është pikasur Arkimed Lushaj me armë në brez, ndërsa prej tyre do të mësohet nëse policët janë plagosur me njëri-tjetrin, apo nga persona të tjerë.


 


 


Krimet e Rënda


Gjobëvënia, “Stresi’ u dënua me 20 muaj burg


Gjykata për Krime të Rënda në Tiranë ka dënuar disa javë më parë Arkimed Lushaj me 20 muaj burg. Me anë të kërcënimit me jetë, presionit psikologjik dhe të “shantazhit” Lushaj, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, i ka kërkuar regjisorit Leonard Bombaj të paguajë shumën 20 mijë euro në formë “gjobe”, që të shpëtonte nga denoncimi fals për abuzim me të miturën Ajsi. Për këtë akuzë, togat e zeza të kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti, dënuan të pandehurit: Arkimed Lushaj, Erlis Bashajn, Sevastjan Kallabaku, Realdo Kurti dhe shtetasen Ajsi Xh. në total me 10 vite e 9 muaj burg dhe 3 milionë lekë të reja gjobë.