Nigel Farage ka deklaruar se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka rënë dakord të pranojë rikthimin e të gjithë shtetasve shqiptarë që ndodhen aktualisht në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar.

Lideri i partisë së djathtë Reform UK, në një konferencë për mediat, tha se ka zhvilluar bisedime me Ramën për një marrëveshje që do të mundësonte dëbimin e shqiptarëve të dënuar nga Britania.
“Jam në bisedime me Edi Ramën nga Shqipëria dhe, sipas asaj që kuptoj, ai ka pranuar të marrë mbrapsht të gjithë të burgosurit shqiptarë që ndodhen këtu. Kjo është diçka mjaft pozitive”, u shpreh Farage, sipas raportimit të The Telegraph.

Këto deklarata vijnë pas një debati disa ditor mes Farage dhe Ramës në rrjetet sociale, lidhur me numrin e shqiptarëve që ndodhen në burgjet britanike dhe raportin e tyre me popullsinë shqiptare që jeton në territorin e Mbretërisë së Bashkuar.

Gjatë konferencës, Farage prezantoi edhe platformën e tij politike, që sipas tij do të kushtonte rreth 17.4 miliardë paund. Këto fonde do të siguroheshin përmes anulimit të projektit hekurudhor HS2 dhe heqjes së politikës së neutralitetit klimatik.

Ai gjithashtu propozoi futjen e një ligji “tre goditjesh” për personat që kryejnë vepra të rënda penale në mënyrë të përsëritur: “Nëse dikush dënohet për më shumë se tre krime të rënda, atëherë, sinqerisht, mendojmë se duhet të përballet me burgim të përjetshëm”, deklaroi Farage.

Për të liruar më shumë hapësira në sistemin penitenciar, ai sugjeroi edhe ndërtimin e disa burgjeve të përkohshme, të ashtuquajtura “burgjet Nightingale”, të konceptuara sipas modelit të spitaleve të ngritura gjatë pandemisë së Covid-19.