Anëtarët e një grupi të krimit të organizuar, të cilët drejtonin një ‘Call Center’ dhe e përdornin atë për të shpërndarë drogë në të gjithë veriperëndimin e Anglisë, janë burgosur për gati 50 vjet.
Qendra e thirrjeve, e vendosur në një banesë, përmbante një telefon celular të cilit njerëzit mund t’i telefononin për të porositur drogë. Një celular i veçantë do të përdorej më pas për të dërguar korrierët për të shpërndarë drogën.
‘Biznesi’ ishte i hapur 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Vlerësohet se trafikantët shqiptarë kanë shpërndarë shumë kilogramë drogë të klasës A me vlerë më shumë se 2 milionë paund. Pesë anëtarët kryesorë të bandës u burgosën këtë javë.
Personi kryesor, i cili ishte Bekim Hasmegaj, 35 vjeç, u dënua me 10 vjet burg. Albi Hoxhaj, 25 vjeç, i cili punonte në qendrën e thirrjeve, u burgos për pesë vjet e 10 muaj.
Klevis Prençi, 33 vjeç, u burgos me katër vjet e dy muaj, ndërsa ka pasur më herët dhen jë dënim prej 9 muajsh për posedim droge. Prençi ishte ‘njeriu i mesit’ dhe ishte përgjegjës për ndarjen e drogës në pazare, mbledhjen e parave të gatshme dhe rimbushjen e korrierëve.
Altin Niklai, 37 vjeç, u burgos për pesë vjet e gjashtë muaj. Ai ishte i përfshirë në stafin e qendrës së thirrjeve dhe për strehimin dhe kujdesin për korrierët e rinj.
Aurel Hila, 39 vjeç, i cili luajti një rol më të vogël për bandën u dënua në mungesë të tij për pesë vjet.
Pesë të tjerë që vepronin si korrierë u dënuan më parë me 14 vjet e dy muaj gjithsej për posedim droge. Gjithsej, koha totale e burgut për anëtarët e bandës ishte 48 vjet e dy muaj.