Është mbledhur mëngjesin e sotëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë, duke hapu kështu zyrtarisht garën për kreun e ri të Prokurorisë së Posaçme, në afrim të datës së mbarimit të mandatit të Atin Dumanit, në dhjetor 2025.

Në mbledhjen e sotme u caktua tre javë afat për të gjithë kandidatët që duan të jenë në krye të SPAK, në mënyrë që të dorëzojnë dokumentacionet përkatëse.

Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, e cila ndoqi nga afër mbledhjen, raporton se të pranishëm në sallë kanë qenë edhe përfaqësues të ambasadës amerikane në vendin tonë.

Nuk u diskutua propozimi i bërë më herët nga i anëtari Erind Mërkuri, i cili kërkonte ndryshimin e rregullores për drejtuesin e SPAK.

Duket se mesazhet e dhëna pak ditë më parë zyrtarët amerikanë në Tiranë, për një proces të drejtë dhe transparent në zgjedhjen e drejtuesit të ri të SPAK, kanë bërë që KLP të tërhiqet nga kjo kërkesë e Mërkurit, i cili siç raportoi gazetarja Anila Hoxha pak ditë më parë, kërkoi saktësimin e termit “shumica’ që vendos sipas rregullores drejtuesin e SPAK.

Kështu mbetet në fuqi rregullorja e vjetër që KLP ka aplikuar edhe më parë.

Top Channel