Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishin të pranishëm sot në qendrën e parë të vaksinimit në stadiumin Air Albania.
Ministrja Manastirliu tha se po bëhen trajnimet e nevojshme për bërjen e vaksinës.
“Po bëhen trajtimet, dhe kemi të gjitha kapacitetet për të kryer vaksinimin tek qytetarët. Kjo është qendra e parë në Tiranë, por më pas do të vazhdojmë edhe me qytetet e tjera. Do vazhdojmë punën për të patur një organizim sa më të thellë, që në një kohë të shpejtë të mblidhen të gjithë të dhënat. Jemi në rrugën e duhur për të përmbyllur këtë mision,” tha Manastirliu.
“Në të gjitha rastet ne fillojmë në javën e tretë të janarit, por të shpresojmë që të fillojmë më shpejt falë disa kanaleve që kemi hapur. Jemi në një fazë realisht positive. Kemi siguruar 500 mijë vaksina, dhe kemi një trend vaksinimi që i përgjigjet qëllimit tonë. Janë bërë të gjitha përgatitjet, jemi gjithmonë një hap përpara asaj që vjen,” u shpreh Rama.