Hapet për qarkullimin e automjeteve ura e Milotit. Në muajin korrik të vitit të kaluar në këtë vepër, e cila ka një gjatësi prej 781 ml, u konstatuan problematika në këmbët mbajtëse dhe për arsye sigurie u vendos ndalimi i qarkullimit të automjeteve. Menjëherë, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës u hartua projekti i ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen e themeleve të kësaj ure. Me përfundimin e punimeve qarkullimi është rihapur.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli inspektoi ndërhyrjet e realizuara në këtë vepër e cila lehtëson qarkullimin e automjeteve që vijnë kryesisht nga veriu i vendit, duke shfryrë njëkohësisht edhe trafikun që krijohet në aksin rrugor Lezhë-Milot.

“Në nëntor filluan punimet për stabilitetin e këmbëve mbajtëse. U fillua me pastrimin dhe nivelimin në bazamentin e pilotave, më pas u realizua edhe betonimi i tyre për të bërë edhe lidhjen midis pilotave, ndërkohë që u morr edhe një masë e tretë shtesë mbrojtjeje që ishte me mure gabion për të mbrojtur betonimin që u realizua si masë shtesë”, sqaroi Kozeli referuar punimeve të realizuara në këtë urë.

Ministri Karakaçi vlerësoi bashkëpunimin mes ARRSH dhe Universitetit të Tiranës, si një hap i rëndësishëm dhe që po konsolidohet ndërsa theksoi se ura e Milotit ju shërben jo vetëm banorëve të zonës, por ndikon gjithashtu ndjeshëm edhe në shfryrjen e trafikut veçanërisht gjatë sezonit turistik ku fluksi i automjeteve rritet ndjeshëm.

“Keni bashkëpunuar me Universitetin e Tiranës, edhe ky është një element i rëndësishëm dhe që duhet theksuar, pasi Universiteti i Tiranës tashmë është gjithmonë e më tepër i përfshirë në të gjitha detyrat e studimeve të projektimit të institucioneve tona shtetërore”, tha Karakaçi.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë tha se fundi i vitit të kaluar dhe dy muajt e parë të këtij viti kanë regjistruar reshje shiu me shumë intensitet dhe për periudha të gjitha pandërprerje, për pasojë, janë evidentuar disa problematika në të cilat është ndërhyrë menjherë dhe tashmë në prag të sezonit turistik të gjitha akset janë të aksesueshme për të gjithë, ndërsa është avancuar edhe në kantieret që janë në proces.

“Në hyrje të sezonit veror ne duhet të përgatisim të gjitha masat e nevojshme që ky sezon, aty ku kemi mundësi të na gjejë të përgatitur dhe të kemi lirshmëri qarkullimi”, u shpreh Karakaçi.