Mbrëmë janë çelur dyert e godinës së Misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Europian.

Të pranishëm në ceremoni ishin komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos dhe kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se dikur në Bruksel “binte shi e bënte ftohtë brenda”, ndërsa theksoi se situata ka ndryshuar pasi është plot energji pozitive dhe fytyra të këndshme.

“Nuk jemi mësuar me këtë, Marta”, iu drejtua kryeministri, komisioneres për Zgjerimin e BE-së.

“Dikur, kur vinim, binte shi e bënte ftohtë jashtë dhe binte shi e bënte ftohtë brenda. Tashmë është ndryshe. Çfarëdo të ketë jashtë, brenda bën ngrohtë dhe është plot energji pozitive, fytyra pozitive dhe buzëqeshje të këndshme. Nuk jemi mësuar me këtë, Marta, ndaj është e jashtëzakonshme më në fund ta përjetosh këtë gjë, që është e vazhdueshme gjatë gjithë vitit dhe po bëhet e përhershme. Dua t’ju falënderoj të gjithëve sinqerisht që jeni këtu dhe të falënderoj sinqerisht e me gjithë zemër për punën secilin prej jush”, tha Rama.

Ndërsa Marta Kos nisi fjalën saj duke u shprehur se: “E ndjej veten… ndjesë, si ambasadoren e katërt të Shqipërisë këtu në Bruksel”.

Ajo theksoi se vendi po jep rezultate, duke shtuar se është detyra e saj “t’ju sjell ju, Shqipërinë, në shtëpi, në Europë”.