Ish-deputetja e Partisë Socialiste, Marjana Koçeku, ka reaguar kundër mundësisë së hapjes së një konsullate serbe në Shkodër, duke kundërshtuar këtë ide dhe duke paralajmëruar protesta në qytet.

Përmes një reagimi publik, Koçeku u shpreh se kjo çështje nuk duhet të kalojë pa reagim, ndërsa kritikoi institucionet shqiptare për atë që i cilësoi si sqarime të paqarta lidhur me këtë nismë.

Ajo e lidhi debatin për konsullatën serbe me zhvillimet e fundit në Kosovë, ku sipas saj vijojnë kërkimet për viktima të luftës dhe zbulime të reja që lidhen me krimet e kryera gjatë konfliktit.

“Ndërkohë që po ndodhin të gjitha këto, shteti shqiptar flet për hapjen e konsullatës serbe në Shkodër. Por çfarë konsullate?”, shkroi Koçeku në reagimin e saj.

Sipas saj, argumentet për marrëdhënie diplomatike, fqinjësi dhe përfitime ekonomike nuk duhet të anashkalojnë të kaluarën historike dhe vuajtjet e popullit të Kosovës.

Koçeku bëri të ditur se të dielën pritet të zhvillohen protesta në Shkodër kundër hapjes së konsullatës, duke theksuar se kjo çështje, sipas saj, nuk mund të kalojë lehtë.

“Ndërkohë që shteti shqiptar flet për konsullatë dhe fqinjësi të mirë me Serbinë, në Kosovë vazhdojnë të gjenden varre masive të trupave të vrarë edhe pas më shumë se 25 vitesh”, u shpreh ajo.