Kompania 


“De La Rue”, një kompani që merret me shtypjen e parave, ka hartuar një plan emergjent për të shtypur valutën e dikurshme greke, nëse Greqia del nga eurozona dhe nëse ky vend i drejtohet kësaj kompanie britanike për shtypjen e parave, njofton agjencia e lajmeve “Reuters”. Lajmi vjen në ditën kur komisioneri i Bashkimit Europian për tregtinë, Kalr de Guht, tha se Komisioni Europian dhe Banka Qendrore Europiane janë duke punuar mbi një skenar emergjent, në rast se Greqia del nga eurozona – një deklaratë kjo e para e këtij lloji që vjen nga një zyrtar i lartë i Bashkimit Europian.

Greqia, e goditur nga kriza, po udhëhiqet nga një qeveri teknike deri në zgjedhjet e ardhshme të 17 qershorit, të cilat do të vendosin edhe për fatin e euros, duke ndikuar kësisoj edhe në shtrirjen e krizës financiare përtej kufijve të Greqisë.