Në prag të vitit të ri shkollor, gjithçka po bëhet gati që shkolla “Hasan Prishtina” në kryeqytet të presë nxënësit në ambiente të sigurta dhe të mirëmbajtura. Bashkia e Tiranës po kryen ndërhyrjet e fundit, nga sistemi elektrik dhe hidraulik, te riparimi i mobilieve dhe ambienteve të jashtme.
Pak ditë përpara nisjes së vitit shkollor 2026-2027, puna vijon për t’u dhënë dorën e fundit ambienteve të shkollës “Hasan Prishtina”.
Ndërhyrjet kanë përfshirë një sërë elementësh të nevojshëm për përmirësimin e kushteve për nxënësit.
“Jemi tek shkolla ‘Hasan Prishtina’. Po i japim dorën e fundit me ndërhyrjet elektrike, hidraulike, riparimin e karrigeve, tavolinave, dyerve, riparimin e rrjetit të rrethimit dhe kalçetos, që fëmijët tanë të gjejnë kushte sa më bashkëkohore dhe ambiente sa më të mirëmbajtura. Ne çdo ditë jemi pranë fëmijëve”, u shpreh përfaqësuesja e Bashkisë së Tiranës.
Për drejtuesit e shkollës, investimet e kryera nga bashkia kanë përmirësuar ndjeshëm kushtet dhe sigurinë e ambienteve, në një kohë kur vijon edhe fluksi i regjistrimeve për vitin e ri shkollor.
Drejtoresha e shkollës “Hasan Prishtina”, Lindita Tufa, theksoi se falë kësaj ndërhyrje,shkolla do ofrojë kushte shumë herë më të mira për nxënësit e saj.
“Ndonëse jemi në kulmin e fluksit të regjistrimit të nxënësve për një vit shkollor sa më të suksesshëm, shkolla ‘Hasan Prishtina’ ofron kushte maksimale. Një ndihmë shumë të madhe kemi pasur nga Bashkia e Tiranës, e cila ka riniveluar shkollën, ka vendosur stola dhe ka kryer riparime hidrosanitare, hidraulike dhe elektrike. Për të gjitha këto, stafi i shkollës është shumë mirënjohës, por mbi të gjitha prindërit, që ditën e parë të shkollës fëmijët t’i sjellin në një ambient sa më të sigurt dhe të ngrohtë”, u shpreh Tufa.
Ndërhyrjet në shkollën “Hasan Prishtina” janë pjesë e përgatitjeve që po zhvillohen në prag të nisjes së vitit të ri shkollor, me synimin që nxënësit të rikthehen në klasa në kushte sa më të përshtatshme. Paralelisht, Bashkia e Tiranës po vijon rehabilitimin edhe në disa shkolla të tjera në kryeqytet.
