Dhomat e Specializuara në Hagë kanë dhënë vendimin e shkallës së parë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e dënuar me 25 vite burgim për krime lufte.
Vendimi u shpall këtë të mërkurë, më 16 shtator, pas një procesi gjyqësor disavjeçar ndaj Thaçit dhe tre ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Trupi gjykues e gjeti Thaçin penalisht përgjegjës për krime të kryera gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Mes veprave penale të trajtuara në proces përfshihen vrasja, tortura, trajtimi mizor dhe ndalimi i paligjshëm.
Ish-presidenti i Kosovës ishte gjykuar mbi bazën e dhjetë akuzave: gjashtë për krime kundër njerëzimit dhe katër për krime lufte.
Aktakuza përfshinte përndjekjen, burgosjen, akte të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë si krime kundër njerëzimit. Ndërsa akuzat për krime lufte përfshinin arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe vrasjen.
Thaçi i kishte mohuar akuzat gjatë procesit dhe ishte deklaruar i pafajshëm.
Shpallja e aktgjykimit vjen gati gjashtë vjet pasi Thaçi u transferua në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë në nëntor të vitit 2020. Procesi gjyqësor kishte nisur më 3 prill 2023.
