Në një moment të ndjeshëm për letrat shqipe, Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, ka ndarë disa fjalë zemre në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të tij.

Gjatë përkujtimores së mbajtur në nder të autorit që shënoi një epokë në letërsinë shqipe dhe botërore, Helena Kadare tha se jeta e Kadaresë ishte në thelb jeta e vetë Shqipërisë, e përshkuar nga kërkimi për liri, barazi dhe përparim.

“Ismail Kadare është një shkrimtar shqiptar, që e ngriti metaforën e tij letrare në nivelin e frymëmarrjes kombëtare,” u shpreh ajo. “Ai përshkroi fatin e shqiptarit dhe të Shqipërisë në tërë rrjedhën e historisë së saj. Ashtu siç mbijetoi shqiptari dhe Shqipëria, mbijetoi dhe vetë Ismaili.”

Ajo theksoi se vizioni dhe frymëzimi i tij ishin gjithmonë të lidhura me historinë dhe shpirtin e një kombi që kërkonte vendin e tij në botë. “Jeta e tij në thelb ishte jeta e Shqipërisë që kërkonte liri, barazi dhe progres, për të qenë në një radhë me përparimin botëror në themelet e të cilit qëndronte historia jonë.”

Fjalët e Helenës rikthyen emocione të forta për të gjithë ata që e kanë ndjekur dhe admiruar veprën e Kadaresë një jetë e tërë në shërbim të fjalës, kombit dhe kujtesës historike.