Policia e Vlorës ka reaguar zyrtarisht lidhur me aksidentin e ndodhur pasditen e sotme në det, ku mbeti i plagosur një person. Pas raportimeve të para për ngjarjen, autoritetet kanë dhënë detaje paraprake, duke bërë me dije se një 17-vjeçar u dëmtua pasi dyshohet se rrëshqiti dhe ra në pjesën e motorit të një mjeti lundrues gjatë lundrimit nga Karaburuni drejt molit të Vlorës.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Informacion paraprak. Rreth orës 16:50, një mjet lundrues, me drejtues shtetasin E. I., 32 vjeç, ka qenë duke lundruar nga Gadishulli i Karaburunit në drejtim të molit në Vlorë. Gjatë lundrimit, njëri prej pasagjerëve, shtetasi S. Ç., 17 vjeç, dyshohet se ka rrëshqitur dhe ka rënë në pjesën e motorit të mjetit lundrues, si pasojë e së cilës ka pësuar dëmtime në pjesën e këmbëve.

Shtetasi i dëmtuar është transportuar me ambulancë në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ka nisur veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.