Policia sekuestron marijuanën dhe arreston pesë organizatorët, mes tyre dy biznesmenë
Rreth 1.2 tonë drogë Lazarati, me vlerë rreth 1 milion euro, janë kapur në Portin e Vlorës, gati për t’u nisur drejt Italisë. Sasia e drogës u gjet në një anije peshkimi, ndërkohë që policia arrestoi pesë të dyshuarit si posedues të kësaj sasie të madhe lënde narkotike. Drejtori i Policisë së Vlorës, gjatë një konference për shtyp, deklaroi se në vijim të operacioneve të kryera gjatë vitit 2012, gjatë natës, duke u gdhirë dita e djeshme, është finalizuar operacioni policor antidrogë i koduar “Sirena di Mare”, ku është sekuestruar një sasi prej 1 ton e 125 kg lëndë narkotike e llojit “marijuanë”, një mjet lundrues peshkarexhë, si dhe janë arrestuar pesë persona. Në pranga kanë përfunduar Antonio (Eduart) Gani Muho, 34 vjeç, i cili dyshohet se është drejtuesi i këtij grupi kriminal; Sokol Ashim Muho, 42 vjeç, pronar i peshkarexhës; Qazim Elmaz Nebiu, 43 vjeç, kapiten i peshkarexhës; Erion Kasëm Kasëmi, 31 vjeç, pronar i një mjeti lundrues ndihmës dhe Kostandin Aleksandër Shani, 43 vjeç, të gjithë banues në Vlorë”, deklaroi Artan Cuku, drejtor i Policisë së Vlorës. Sipas tij, të pestë këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të trafikonin drejt Italisë sasinë e bllokuar të drogës. Sipas hetimeve të kryera, droga është zbuluar gjatë disa patrullimeve me helikopter. Nga informacionet e mbledhura mësohet se personat e arrestuar, pasi e kanë siguruar lëndën narkotike në Lazarat, e kanë sjellë në Vlorë, në afërsi të Petroliferës dhe nëpërmjet varkës së peshkimit me emrin EDI (498 V) e kanë transportuar nga bregu dhe e kanë ngarkuar në peshkarexhën “Sirena di Mare”, me pronar Sokol Muhon. Më pas, nëpërmjet peshkarexhës, lënda narkotike do të nxirrej deri në ujërat neutrale, ku do të vinte një mjet lundrues nga brigjet italiane dhe do të merrte sasinë e lëndës narkotike. “Bëjmë me dije se ky operacion ka qenë një ndër operacionet më të koordinuara dhe më të organizuara të agjencive ligjzbatuese. Drejtoria e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me Prokurorinë për Krimet e Rënda, Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese, vazhdon hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtij aktiviteti kriminal. Gjithashtu, Drejtoria e Policisë së Vlorës, gjatë kësaj periudhe ka sekuestruar 5 tonë e 773 kg më shumë lëndë narkotike se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.