Ministria e Shëndetësisë ka reaguar zyrtarisht lidhur me rastin e helmimit në Akademinë e Policisë, ku rreth 50 studentë përfunduan në spital.
Sipas njoftimit, ditën e djeshme studentët janë paraqitur në shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Infektiv në QSUT me dyshime për helmim ushqimor. Menjëherë pas mbërritjes së tyre, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm për secilin rast.
Ministria bën me dije se Shërbimi Infektiv, Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gatishmëri të plotë, duke shtuar stafin në shërbim dhe duke garantuar furnizimin me barna dhe materiale të nevojshme.
Reagimi i plotë:
Ditën e djeshme, më datë 06.05.2026, rreth 50 studentë të Akademisë së Policisë janë paraqitur në shërbimin e Urgjencës pranë Spitalit Infektiv në QSUT, të dyshuar për helmim nga ushqimi.
Menjëherë pas paraqitjes së tyre, ekipet mjekësore kanë kryer vlerësimin dhe trajtimin e nevojshëm shëndetësor për çdo rast. Shërbimi Infektiv dhe Urgjenca Polivalente në QSUT dhe Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore kanë kaluar menjëherë në gjendje gatishmërie pas marrjes së njoftimit, duke shtuar kapacitetet e stafit në shërbim dhe duke garantuar menjëherë stokun e nevojshëm të barnave.
Po ashtu, të gjithë studentët janë vlerësuar përmes ekzaminimeve laboratorike me qëllim identifikimin e shkakut të helmimit. Pas marrjes së ndihmës mjekësore, studentët janë larguar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore.
