Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, ka reaguar pas incidentit të helmimit të 64 kursantëve në Akademinë e Sigurisë, duke dhënë sqarime mbi dyshimet paraprake për shkaqet e ngjarjes.
Sipas tij, në rastin e parë analizat nuk e kanë lidhur problematikën me ushqimin, por me çështje të mundshme higjienike. Ndërsa për rastin e dytë, ministri theksoi se duhet pritur përfundimi i analizave të reja laboratorike, të cilat do të përcaktojnë shkakun e saktë të incidentit dhe masat që duhen marrë për parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen.
“Në helmimin e parë nuk rezultoi helmim nga ushqimet, por problematika lidhej me higjienën. Do të presim rezultatet e analizave që pritet të dalin sot për të përcaktuar shkakun e këtij rasti dhe për të identifikuar problematikën që duhet parandaluar përmes Autoritetit Kombëtar të Ushqimit”, u shpreh Salla.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa gjendja e kursantëve raportohet e stabilizuar.
