Në Gramsh po zhvillohet një protestë pas infektimit të të paktën 14 fëmijëve me salmonelë. Prindërit pritet të mblidhen para Bashkisë së qytetit për të kërkuar përgjegjësi dhe shpjegime lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi në Kopshtin Nr. 1 ditën e djeshme.

Në total, autoritetet morën 79 mostra nga kopshti, duke përfshirë fëmijët, edukatorët dhe punonjësit e kuzhinës, për të zbuluar shkakun e përhapjes së infeksionit.

Njoftimi i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Gramsh:

Ditët e fundit, në Kopshtin Nr. 1 në qytet janë paraqitur disa raste të fëmijëve me simptoma gastrointestinale (diarre, temperaturë, të vjella, dobësi). Janë marrë masa të menjëhershme për hetimin dhe menaxhimin e situatës nga strukturat përkatëse dhe po vijojnë analizat laboratorike për të përcaktuar shkakun.

Nga 79 persona të depistuar (fëmijë dhe staf), janë identifikuar 14 raste me Salmonella Enteritidis. Prej tyre, 5 raste janë zbuluar nga mostrat për diagnozë dhe 9 raste nga depistimi. Nga 72 ekzaminime të bëra për depistim, 53 kanë rezultuar negativë, 6 nuk kanë pasur rritje bakteriale, dhe 6 janë në pritje të rezultatit. Në këtë kuadër, kërkojmë vigjilencë të shtuar nga të gjitha Qendrat Shëndetësore për:

Vëzhgimin dhe identifikimin e fëmijëve me simptoma të ngjashme. Raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshuar pranë NJVKSH Gramsh. Ndjekjen nga afër të gjendjes shëndetësore të fëmijëve të Kopshtit Nr. 1, si për ata të prekur, ashtu edhe për ata që kanë rezultuar negativë.

Informimin e komunitetit mbi rëndësinë e higjienës personale dhe ushqyerjes së sigurt të fëmijëve. Lutemi për bashkëpunim dhe gadishmëri maksimale për ta përballuar këtë situatë me seriozitet dhe profesionalizëm.

NJVKSH Gramsh

Drejtore: Besmira Bracja