Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se analizat laboratorike të kryera pas rastit të helmimit të kursantëve në Akademinë e Sigurisë në Sauk kanë rezultuar brenda parametrave të lejuar për higjienën dhe sigurinë ushqimore.
Sipas AKU-së, janë marrë mostra për higjienën ambientale dhe pajisjet e punës në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, si edhe në ambientet e kuzhinës së Garnizonit të Forcave të Armatosura në Tiranë. Analizat janë kryer në laboratorin e Referencës ISUV, ku rezultatet kanë konfirmuar se kushtet higjieno-sanitare përmbushin standardet e kërkuara.
Pas përfundimit të procedurave të inspektimit dhe shqyrtimit të raport-analizave laboratorike, AKU bëri me dije se është vendosur zhbllokimi i aktivitetit të subjektit “SORI-AL”.
Ndërkohë, subjektit i është kërkuar të vijojë kryerjen e analizave të autokontrollit për produktet e gatshme në ambientet e Garnizonit të Forcave të Armatosura, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
