Avokati i Popullit: Prokuroria të ndërhyjë, policia zbatoi një urdhër çnjerëzor


Sokol Çobo


Avokati i Popullit, Igli Totozani, e ka cilësuar urdhrin e policisë për t’u hequr ilaçet grevistëve të urisë si të paligjshëm, madje çnjerëzor. Dita e 29 e grevës e ish të përndjekurve politikë ka qenë e tensionuar, madje nuk kanë munguar edhe përplasjet verbale midis forcave të shumta të policisë që kanë rrethuar çadrën dhe organizatorëve, të cilët kanë akuzuar forcat e rendit se u kanë hequr grevistëve medikamente dhe mjete të nevojshme mbijetese, në kushtet kur nuk konsumojnë ushqim. Në fakt, veprimi i policisë ka ndodhur në orët e vona të së premtes, ku disa punonjës janë futur në ambientet dhe kanë marrë lëngjet dhe ilaçet. Gazeta “Shqip” publikoi dje këtë veprim policor, ndërsa mëngjesin e së shtunës komisionerët e Avokatit të Popullit shkuan pranë çadrës dhe konstatuan ndërhyrjen arbitrare të policisë. Komisioneri i Avokatit të Popullit, Sotiraq Nushi, i bëri thirrje qeverisë të lejojë futjen në mjediset e grevës të lëngjeve të domosdoshme, ndërsa policisë i bëri thirrje të ruajë qetësinë.


“Ata më shprehën shqetësimin serioz se mbrëmë kanë hyrë disa persona civilë, që janë prezantuar si policë, por pa u identifikuar dhe u kanë hequr çajin, trisolin, kafen, sheqerin. I bëj thirrje policë të fusë lëngjet që janë jetike për jetën. Organet shtetërore duhet të reagojnë për problemet që ata kanë ngritur”, tha Nushi. Thirrja e komisionerit duket se ra në vesh të shurdhër, pasi policia vijonte të zbatonte vendimin “nga lart”. Është dashur ndërhyrja e Nushit që t’i mundësonte një grevisti ilaçet për sëmundjet. Komisioneri ka shkuar në një farmaci dhe ka blerë ilaçin e kërkuar.


Pasi kaluan disa orë dhe gjendja ishte e njëjtë, Avokati i Popullit, Igli Totozani, shkoi personalisht pranë ambienteve të grevës, duke kërkuar që të ndërpritet ky urdhër, që e quajti çnjerëzor. Ai kërkoi ndërhyrjen e prokurorisë për të hetuar veprimet e policisë, ndërsa tha se ka nisur një verifikim për personat që janë futur brenda ambienteve të çadrës.



“Shërbimi shëndetësor, ilaçet, uji, serumet duhet t’u jepen pa asnjë pengesë, madje dhe sheqeri. Çdo urdhër që kërkon në të kundërt, që këto elemente jetësore të pengohen, është një urdhër çnjerëzor dhe degradues. I bëj thirrje policisë, që e ka zbatuar këtë urdhër, të tërhiqet nga ky qëndrim”, tha Totozani, ndërsa vijoi se institucioni i tij do të hetojë këtë çështje. “Edhe prokuroria duhet të futet në këtë drejtim për të parë ç’është ky urdhër. Përgjegjësia mund të jetë individuale”, vijoi avokati.


Intervista


Afrim Biturku: Pas heqjes së ilaçeve, sheqerit dhe lëngjeve, jetojmë me ujë dhe frymë


Grevisti: Tre policë na dhunuan, na thanë se ‘nuk do i shesim’


Një nga grevistët e urisë ka treguar momentin kur tre punonjës policie, të veshur civilë u kanë marrë ilaçet dhe sheqerin. Afrim Biturku thotë se ka qenë zgjuar kur policët po futeshin si hajdutë në çadër, pasi kujtonin se ish të përndjekurit ishin në gjumë. “Tre persona civilë kanë ardhur mbrëmë (të premten) rreth orës 22:00. Vetëm unë isha zgjuar. Nuk thanë asnjë fjalë, madje as ‘mirëmbrëma’. Po kontrollonin për diçka. Më thanë se do të marrin sheqerin dhe ilaçet. U kërkova pse e bëjnë këtë gjë dhe nuk m’u përgjigjën. U thashë dale njëherë, pasi të lajmëroj edhe grevistët e tjerë, ndërsa i kërkova që të identifikoheshin. Më thanë se ishin oficerë policie, por pa përmendur emra dhe mjete identifikimi. U kërkova me ngulm emrat, po nuk m’i thanë, ndërsa zgjova edhe grevistët e tjerë”, pohoi Biturku, ndërsa të tjerët u kanë thënë “merrni ç’të doni, pasi ne këtu do të vdesim”.


I përndjekuri politik, që sot mbush 30 ditë në grevë, pohon se prej mbrëmjes e së premtes ndodhen pa sheqer, ilaçe, por vetëm me ujë dhe frymë. Thotë se katër grevistë janë në gjendje të keqe shëndetësore, megjithatë asnjë prej tyre nuk preferon të shkojë në spital, pavarësisht rrezikut për jetën. Përmend emrat e Ramazan Spahiut, Agim Kollçakut, Lavdosh Beqos dhe Vathi Koçit,  të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, Afrim Biturku akuzon policinë se i ka dhunuar, ndërsa thotë se “këtu është më keq se në Spaç, Burrel dhe Qafë-Mali.


 


Denoncuat se policia u ka marrë medikamentet jetësore. Si ndodhi?


Ishte ora rreth 22:00, kur tre persona, civilë, hynë në çadër. Pa thënë asnjë fjalë dhe pa u prezantuar shkuan direkt te vendi ku linim sheqerin dhe e hodhën në një qese. I kërkova shpjegime, por nuk më dhanë.


Të gjithë grevistët ishin në çadër?


Po, por vetëm unë isha zgjuar. Të tjerët po flinin, pasi vinin nga një ditë e lodhshme dhe gjendja shëndetësore sa vjen e po rëndohet.


Çfarë veprimi bënë policët?


Morën të gjithë sheqerin, serumet dhe lëngjet.


Ju thanë ndonjë gjë?


Filluan të bëjnë ironi. Njëri prej tyre, pasi i kërkova shpjegime, më tha se ‘mos ki merak se nuk i dua për t’i shitur’. Me shpejtësi mori sheqerin dhe lëngjet.


Reaguat për këtë veprim?


Pasi u zgjuan të gjithë grevistët u thamë ‘merrni ç’të doni’, ne këtu do të vdesim.


I njihnit këta persona?


Vetëm njërin prej tyre, i cili ka bërë muhabet me një grevist. Dy të tjerët jo, s’i kishim parë ndonjëherë. Na thanë se kemi urdhër për këtë veprim dhe u larguan me shpejtësi.


Aktualisht, jua kanë dhënë ilaçet?


Jo, madje as ambulanca nuk na jep serumet që ka. Tashmë jetojmë vetëm me ujë dhe frymë.


Si është gjendja shëndetësore?


Katër grevistë janë në gjendje të rëndë. Ramazan Spahiu, Agim Kollçaku, Lavdosh Beqo dhe Vathi Koçi kanë probleme të theksuara. Analizat e gjakut dhe urinës u kanë dalë me probleme.


Keni shpresë për ndonjë negociatë?


Pas deklaratave të Avokatit të Popullit, Departamentit Amerikan të Shtetit, ambasadorëve të Gjermanisë dhe Holandës na janë rritur shpresat për kauzën tonë. Megjithatë, sa herë që jemi afër zgjidhjes, policia merr urdhra për të na bërë keq. Në momentin që foli Reekeri, policia na mori lëngjet dhe sheqerin. Megjithatë, ne do të gjejmë forcë për të vazhduar deri në përmbushjen e kërkesave tona.


Familjarët i keni takuar?


I kemi takuar me orar, si në burg. Na kontrollojnë për gjithçka, madje edhe për cigaret. Është me keq se në Spaç, Qafë-Bari dhe Burrel. S.Çobo