Ish-kryeministri Sali Berisha u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pasi doli nga SPAK, ku u morr në pyetje për herë të parë.

Berisha u shpreh se do të paraqitet  në Prokurorinë e Posaçme sa herë që të thirret, ndërsa shtoi se ndaj tij nuk ka asnjë provë inkriminuese.

 “Sa herë të thirrem. Sali Berisha ka deklaruar dhe deklaron se do të paraqitet sa herë të thirret. Nuk mund të ketë asnjë ekuivok. Nuk kishte asnjë provë, kishte mashtrime, Mjeranë që ripërsërisnin trillimet e tyre.”– tha Berisha.

Berisha u morr sot për herë të parë në pyetje në lidhje me dosjen hetimore për privatizimin e kompleksit “Partizani”, aferë për të cilën ai akuzohet përveprën penale korrupsion pasiv. Berisha dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi gjatë procesit të privatizimit.

Më herët, ish-kryeministri kishte refuzuar të paraqitej në SPAK kur iu caktua masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. Kjo bëri që prokurorët të ashpërsonin masën, dhe përfundimisht më 30 dhjetor të vitit të kaluar, Berisha u vendos në “arrest shtëpie”, duke iu ndaluar dalja jashtë banesës dhe komunikimi me persona që nuk banojnë me të.