Një grua shqiptare është kthyer në heroinë në New Jersey, pasi rrezikoi jetën e saj për të shpëtuar dy fëmijë që po përpiheshin nga dallgët.
Ngjarja ka ndodhur më 7 shtator në plazhin e Long Branch, ku Xhenana Lanica po kalonte kohë me familjen e saj. Situata mori një kthesë të frikshme kur ajo dëgjoi thirrjet për ndihmë të dy fëmijëve, të cilët ishin marrë nga një rrymë e fortë detare.
Bëhet fjalë për dy vëllezër, rreth 8 dhe 10 vjeç, të cilët po largoheshin gjithnjë e më shumë nga bregu dhe po tërhiqeshin drejt ujërave të thella.
Pa hezituar, Xhenana u fut në det për t’u ardhur në ndihmë. Ajo arriti të kapte njërin prej fëmijëve, 8-vjeçarin, dhe e ndihmoi të rikthehej në mënyrë të sigurt drejt bregut.
Në të njëjtën kohë, një burrë ndërhyri për të shpëtuar vëllain e tij, rreth 10 vjeç. Pas momenteve të tensionuara, të dy fëmijët u nxorën shëndoshë e mirë dhe iu bashkuan familjes.
Veprimi i shqiptare është vlerësuar si një akt i madh guximi dhe humanizmi, pasi ajo nuk ngurroi të përballej me rrezikun për t’u ardhur në ndihmë dy fëmijëve në vështirësi.
