Debati mbi drejtimin që po merr protesta ishte në fokus me gazetarin Arbër Hitaj. Aktori dhe regjisori Hervin Çuli, i cili ka mbështetur protestën që në ditët e para, u shpreh se lëvizja qytetare ka humbur frymën fillestare, pasi sipas tij është marrë në dorë nga Partia Demokratike.
“Kam frikë se protesta e kreu misionin e saj. Është marrë në dorë tashmë nga Partia Demokratike dhe një protestë që merret peng nga një forcë politike humbet frymën qytetare. Dhjetë ditët e para ishin ndër gjërat më të bukura që kemi parë, por tani rrezikon të dekompozohet.”
Nga ana tjetër, aktivistja Etleva Merko e kundërshtoi këtë qëndrim, duke këmbëngulur se protesta vijon të kontrollohet nga qytetarët dhe jo nga partitë politike.
Debati u zhvendos edhe te incidentet me deputetët jashtë Kuvendit.
Teksa moderatori solli në vëmendje rastin e Erion Braçes dhe Gjin Gjonit, Merko hodhi poshtë pretendimet se deputetët e opozitës janë favorizuar.
Çuli: Erjon Braçe është një nga deputetët që, duam s’duam, ka qenë ndër më pak të përfolurit për gjithçka. Ndërkohë ai goditet me vezë, ndërsa Gjin Gjoni përqafohet. Ka diçka që nuk shkon.
Etleva Merko: Absolutisht jo. Kjo nuk është e vërtetë, sepse atë ditë kanë dalë edhe deputetë të opozitës dhe një pjesë e mirë e tyre janë kthyer përsëri mbrapsht, pasi qytetarët i godisnin me vezë dhe me miell. Pra, nuk ka pasur që deputeti i PD-së të mos goditej dhe ai i PS-së të goditej. Janë goditur të gjithë ata që janë pjesë e atij Parlamenti dhe qytetarët, me një zë, kanë thënë se ai është “Parlamenti i krimit”. Kështu që nuk ka sesi të ndodhte ndryshe.
Etleva Merko: Atë ditë kanë dalë edhe deputetë të opozitës dhe janë goditur me vezë e domate. Kam qenë vetë prezente. Qytetarët reagojnë ndaj të gjithë deputetëve, pa dallim politik.
Një tjetër pikë përplasjeje ishte e ardhmja e protestës.
Çuli argumentoi se kërkesa e vetme për dorëheqjen e kryeministrit nuk mjafton dhe se protesta duhet të artikulojë objektiva konkrete, si ndryshimi i Kodit Zgjedhor dhe reforma të tjera institucionale. Sipas tij, në të kundërt rrezikon të mbetet pa rezultat politik.
Ndërsa Merko këmbënguli se protesta nuk do të ndalet deri në dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e kushteve për një qeveri teknike, duke theksuar se qytetarët nuk pranojnë më përfaqësimin e klasës politike 36-vjeçare.
