Prokuroria


Mjekësia Ligjore nxjerr raportin paraprak: Në pesë orë pati tetë arreste kardiake


Tre mjekët irlandezë, që kryen ndërhyrjen kirurgjikale, dyshohet se janë larguar nga Shqipëria


11-vjeçari Denis Alimadhi


Publikohet raporti paraprak i Mjekësisë Ligjore për 11-vjeçarin Denis Almadhi, i cili humbi jetën gjatë operacionit në sy në spitalin francez në Tiranë, ndërkohë që vazhdon verifikimi për protokollin mjekësor të ndjekur për trajtimin e hipertermisë malinje, që mendohet se solli vdekjen e të miturit. Sipas rezultateve të ekspertizës mjekoligjore, vogëlushi ka pësuar 8 arreste kardiake gjatë ndërhyrjes. Mësohet se pas disa ditësh do të publikohet edhe raporti përfundimtar i analizave të fëmijës, ndërkohë që familjarëve u është dorëzuar edhe skeda e vdekjes, ku humbja e 11-vjeçarit cilësohet si aksident mjekësor. Në raportin mjekoligjor thuhet se kanë qenë tre faktorë kryesorë që kanë sjellë humbjen e jetës së 11-vjeçarit. I pari ka qenë alergjia që ka ardhur si pasojë e narkozës dhe më pas kjo ka bërë që trupi i 11-vjeçarit të pushtohet nga hipertermia malinje. Si rezultat i kësaj, trupi është ftohur për shkak të ngrirjes së muskujve dhe gjakut. Ky reaksion ka përkeqësuar akoma dhe më tej situatën shëndetësore të pacientit, ku si rezultat i trashjes së gjakut, para se të vdiste, ai ka pësuar plot 8 arreste kardiake. Në kartelën e vdekjes thuhet se nga ana e kirurgëve që kanë kryer operacionin, nuk është bërë asnjë gabim në prerje të plagës, por gjithçka ka qenë konform rregullave të mjekësisë. Nisur nga kjo situatë, ekspertiza ligjore përjashton nga përgjegjësia mjeko-ligjore, dy mjekët irlandezë dhe e konsideron vdekjen e minorenit nga fshati Bërzhitë i Tiranës, si një aksident mjekësor. Në raport nënvizohet edhe fakti i përpjekjeve të bëra për shpëtimin e jetës, ku mjekët kanë bërë të pamundurën për uljen e temperaturës dhe shmangien e pushimit të zemrës, duke injektuar në trupin e pacientit disa medikamente, por që në fakt ato nuk kanë bërë përmirësimin e shëndetit të 11-vjeçarit. Mjekësia Ligjore pritet të dalë në një konkluzion përfundimtar rreth kësaj çështjeje, ku do u japin përgjigje 4 pyetjeve që tashmë ka ngritur ndaj tyre Prokuroria e Tiranës, e cila po heton me imtësi ngjarjen e ndodhur gati një javë më parë në repartin e okulistikës në spitalin francez. Nga ana tjetër, burime nga organet e hetimit bëjnë me dije se po verifikohet me imtësi pajisja me një protokoll të rregullt mjekësor nga ana e Spitalit Francez dhe anestezistëve, protokoll ky i nevojshëm për trajtimin e hipertermisë malinje. Ende nuk dihet nëse anestezistët kishin marrë masat për sigurimin e të gjithë antidoteve, që mund të nevojiteshin gjatë ndonjë komplikimi në procesin kirurgjikal. Gjatë këtyre ditëve, prokuroria ka marrë në pyetje familjarët e viktimës, si dhe mjekët irlandezë që bënë mjekimin. Ata kanë treguar se kanë bërë të pamundurën për t’i shpëtuar jetën të miturit. Në pyetje pritet të merret edhe kryeinfermierja e klinikës okulistike në spitalin francez, e cila ka ndjekur një pjesë të procedurës, të dokumentimit të kartelës mjekësore. Aktualisht, dosja është në fazën fillestare të hetimit dhe ende nuk dihen me saktësi personat përgjegjës që çuan në vdekjen e të miturit Denis Alimadhi. Nga ana tjetër mësohet se tre mjekët irlandezë, që kryen ndërhyrjen kirurgjikale, dyshohet se janë larguar nga Shqipëria. Burime të pakonfirmuara thanë se ata janë larguar pa njoftuar njeri, pavarësisht se ata nuk e kishin të detyrueshëm raportimin në polici, pasi nuk ishte e nevojshme marrja e lejes për të lëvizur jashtë shtetit. Sipas të dhënave, mjeku kryesor, John Mc Cann, dhe dy mjekët e tjerë, me detyrë kirurgë, reanimatorë, janë larguar nga Shqipëria, duke mos lënë asnjë informacion nëse do të rikthehen dhe kur. Red. Akt.