Me urdhër të SPAK, Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) ka ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Evita”, e biznesmenit Klodian Allajbeut. Kontrollet kanë të bëjnë me hetime tenderash, ndërsa mësohet se urdhri është firmosur nga prokurorja e Posaçme, Dorina Bejko.
Kujtojmë së gjatë muajit dhjetor, në tenderin e shpallur nga Operatori i Blerjeve të Përqendruara për pajisje për shërbimin e kardiokirurgjisë, në vlerën e gati 750 milion lekëve, është shpallur fitues operatori ekonomik Evita Sh.p.k, i Allajbeut duke s’kualifikuar operatorin tjetër pjesëmarrës në garë, Montal Sh.p.k, e cila paraqiti ofertën më të ulët.
Vlera që ofroi “Evita” në këtë tender është afro 120 milionë lekë më shumë se sa ofroi kompania tjetër në garë, ku normalisht në tendera fiton ai që paraqet ofertën më të ulët. Totali i asaj që ofron “Evita Sh.p.k” është afro 660 milion lekë, ndërsa konkurrenti tjetër u ofrua me afro 540 milion lekë, me një diferencë jo të vogël, por që u skualifikua.
SPAK nuk ka dhënë ende një njoftim zyrtar për këtë kontroll në ambientet e firmës “Evita”. “Evita Sh.p.k” është një kompani qe ushtron aktivitetin ne fushën e farmaceutikes dhe pajisjeve mjekësore.



