Prokuroria e Posaçme vijon me marrjen në pyetje për hetimet mbi dosjen e 21 janarit. Paraditen e sotme në SPAK do të merret në pyetje Agim Deda, vëllai i Hekuran Dedës, një prej protestuesve që u vra në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Një ditë më parë në SPAK, u mor në pyetje nga prokurorët, Zabit Deda, vëllai i tjetër i protestuesit të vrarë.

Më 21 janar 2011, në një protestë të organizuar nga Partia Socialiste, asokohe në opozitë, u vranë nga Garda e Republikës 4 protestuesit Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Kryeministri i kohës, Sali Berisha deklaroi se opozita kishte përgatitur një “grusht shteti” për të rrëzuar qeverinë, ndërsa opozita akuzoi qeverinë se vrau 4 qytetarë të pafajshëm.

Në hetimin që u bë për vrasjen e protestuesve, të pandehur u morën Ndrea Prendi dhe Agim Llupo, ndërsa gjykata vlerësoi me vendim se vrasjet kanë ndodhur nga pakujdesia. Të dy të pandehurit u dënuan, ish-komandanti i Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit ndërsa gardisti Agim Llupo me 3 vite burg. Por një publikim i ri ka dalë në dritë 12 vite pas ngjarjes. Gazetari Artan Hoxha publikoi audiopërgjimet e shërbimeve të huaja ku zbardhet urdhëri i marrë për të hapur zjarr ndaj protestuesve.