Hetimet për rastin e rëndë të abuzimit seksual ndaj 13-vjeçares amerikano-shqiptare në Shkodër kanë çuar në ndalimin e dy personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.
Në pranga kanë përfunduar një 46-vjeçar nga Tirana dhe një 49-vjeçar nga Fieri. Për të dy, Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohen për veprat penale të marrëdhënieve seksuale me të mitur dhe trafikimit të të miturve.
Ngjarja u bë objekt hetimi pas denoncimit të familjarëve për largimin e 13-vjeçares nga banesa. Pas disa ditësh kërkimesh, të zhvilluara nga strukturat e Policisë në Shkodër, Tiranë dhe Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me asistencën e strukturave të sigurisë së Ambasadës Amerikane, e mitura u lokalizua në Tiranë.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të zbuluar të gjithë dinamikën e ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë pasur rol në trafikimin dhe abuzimin seksual të të miturës.
