Nëna e Ajola Xoxës, Valbona Xoxa është paraqitur pak më parë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Ende nuk dihen arsyet se pse nëna e Ajola Xoxës, bashkëshortes së Erion Veliajt është thirrë në SPAK.

Ajola Xoxa akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Sipas SPAK nga të dhënat konkrete të mbledhura deri në këtë fazë të hetimit paraprak, në mënyrë të përmbledhur rezulton se, nga peronat nën hetim, specifikisht Veliaj edhe bashkëshortja e tij është ideuar, krijuar dhe vënë në funksionim një mekanizëm që ka synuar dhe ka bërë të mundur, në praktikë, marrjen e përfitimeve të parregullta, të cilat burojnë nga fondet publike që administrohen nga Bashkia Tiranë, përmes titullarit të saj, me qëllim pasurimin personal të këtij të fundit dhe familjes së tij, përmes veprimeve të kamufluara dhe të  kundërligjshme.

Prokuroria e Posaçme ka deklaruar se në lidhje me praktikat e ndjekura nga këta persona, nisur nga provat e administruara në fashikull, në të paktën 10 raste, krijohet dyshimi i arsyeshëm për kryerjen e veprimeve me natyrë korruptive nga i zgjedhuri vendor, si edhe pastrim të produkteve të veprës penale.